970×90
970×90
970×90
970×90

Ish-bashkëpunëtori ia kujton Haradinajt lotët e shumtë që ka derdhur në vitin 2000

Ish-bashkëpunëtori ia kujton Haradinajt lotët e shumtë që ka derdhur në vitin 2000

Klinaku në këtë shkrim përkujton dëshirën e shprehur me lot të Haradinajt që në vitin 2000 për të zënë vendin e të parit në Qeverinë e Kosovës.

Haradinaj, sipas Klinakut, atëherë kishte thënë: “Unë du me u ba një herë kryeministër. E kur të bëhem kryeministër, do ta shihni se kush është Ramushi”.

Shkrimi i plotë i Klinakut:

“Po sot, Ramush! A je kryeministër? Pse nuk e ndalon korrupsionin?”, pyet autori në këtë shkrim që po e japim të plotë:

1. Në pranverën e vitit 2000 filluam bisedimet për krijim të – ti thoshe të partisë, ne thoshim të koalicionit – AAK. U desh që me Sabit Gashin (kryetarin e LKÇK-së) të ta ndërtojmë, vetëm në letër, partinë tënde – AQK-në (Aleanca Qytetare e Kosovës) – që të bëheshe i aftë të hyje në koalicion me LKÇK-në. Pastaj filluam ta ndërtojmë koalicionin – për ty e disa përreth teje, partinë – AAK. AAK-ja u ndërtua mbi 30 degët e LKÇK-së, se sa për disa njerëz që kishe pas vetes, as deri në Gjakovë nuk do të dilte emri i dashur për ty – AAK. Madje edhe në Deçan LKÇK-ja kishte një degë solide. Ti dhe 3-4 njerëz rreth teje shpejtë filluat të shkelni statutin e koalicionit, sipas të cilit, ndër të tjera, kryetari kishte mandat 6 mujor, dhe nxorët qëllimin e vërtetë që koalicioni të “shndërrohej” në parti, ku kryetari do të bëhej i përhershëm.

2. Pak para se të dilnim nga “koalicioni” të thirrëm në selinë e LKÇK-së (aty ku sot është selia e LB-së). Ishte mbrëmje e errët dimri (dhjetor 2000), madje edhe pa rrymë. Në seli ishim vetëm 4, ne tre (Sabit Gashi, Fatmir Humolli, unë) dhe ti. Ishim të ulur përreth tavolinës së rrumbullakët. Sabit Gashi filloj duke i kujtuar disa nga shtyllat e idealit për të cilat kishim luftuar. Sabit Gashi i kujtoi aty disa emra të dëshmorëve, përfshirë edhe dy vëllezërit e tu. Pastaj, Sabit Gashi vazhdoi t’i përmend disa nga veprimet e tua të atij 6 mujori, e të cilat, sipas nesh, binin ndesh me ato të parat. Pas kësaj, radhën e kishe ti. A të kujtohet Ramush, çka bëre dhe çka the ti? Në fillim qave Ramush! Po nuk qave pak, qave shumë! Jo si “dy lotët” metaforik, por dhjetëra lot të vërtetë lagën tavolinën. Kur u ngope vaj, u përpive dhe the: “Ju keni të drejt! Krejt ashtu është! Por, unë du me u ba një herë kryeministër. E kur të bëhem kryeministër, do ta shihni se kush është Ramushi”! Le të përfundoj këtu kujtimi, se edhe ashtu, takimi ishte i shkurtë.

3. Po sot Ramush! A je kryeministër? Pse nuk e ndalon korrupsionin? A e di se ndalja e korrupsionit është kusht për përparimin e Kosovës, e ndriçon edhe demarkacionin, edhe asociacionin, edhe dialogun? Vetëm një rrugë ke, nëse do ta tregosh veten kryeministër! Krijo program dhe ndërmerr aksion të gjerë kundër korrupsionit. Në fillim anulo vendimin për rritjen e pagave, largo të gjithë zëvendësministrat dhe disa ministra dhe grumbullo njerëzit e dijshëm dhe të pa korruptuar rreth vetes! – Po, por më prishet partia, thua ti. Po le të prishet o Ramush, se nuk të vlen gjë ajo parti që nuk të përkrahë për përparimin e Kosovës. – Po, vazhdon ti, edhe me vendos që mos me ruajt partinë, me punu drejt, ma prishë qeverinë PDK-ja. Po le ta prishë, o Ramush, se nuk të vlen gjë qeveria që miraton demarkacion jo transparent, që bën dhe lejon korrupsion, që bën dialog jo transparent. Ti, tri vjetët në vijim mund t’i përdorësh që të përmendesh edhe 30 të tjera, si njeriu që shënoi epokën dhe filloi erën e Kosovës pa korrupsion dhe zgjidhjen e mbarë për të gjitha problemet. Vetëm kështu do të bëheshe kryeministër. Se, me qeverisjen e këtij viti që shkoj, për mua nuk je kryeministër.

E di, se kjo punë nuk bëhet duke thënë; por më fal, se nuk munda pa të thënë.

Related posts