970×90
970×90
970×90
970×90

Pacolli me aeroplanin e tij privat i “shashtrisi” lideret tjerë mbrëmë gjatë udhëtimit në Bruksel

Pacolli me aeroplanin e tij privat i “shashtrisi” lideret tjerë mbrëmë gjatë udhëtimit në Bruksel

Katër zyrtarë të lartë të shtetit mbrëmë udhëtuan drejt Brukselit me aeroplan. Kjo nuk do të përbënte lajm nëse njëri prej tyre nuk do të ishte pronar i fluturakes, e që hap dilema për konflikt interesi. Veseli, Haradinaj, Limaj e Gashi nuk mundën ta refuzojnë luksin që ua ofroi Pacolli. U tha se këta udhëtarë u përballen me telashe gjatë fluturimit, por mbeti e paqartë nëse udhëtimin e mbuluan takspaguesit, apo ishte një qerasje nga Pacolli.
Behgjet Pacolli nuk përton asnjëherë t’ua ofrojë udhëheqësve të shtetit luksin që e ka siguruar me paratë e tij. Ai shpesh i hap dyert e vilës luksoze në Hajvali, duke i bërë tubë krerët e shtetit atje për darka. Të martën mbrëma, Pacolli ka ndezur aeroplanin e tij për t’i çuar në Bruksel Kryeparlamentarin Veseli, Kryeministrin Haradinaj dhe dy zëvendëskryeministrat, Fatmir Limajn e Dardan Gashin.

Si duket, ata nuk kanë mundur t’i thonë jo ofertës së Pacollit, për transport luksoz drejt kryeqytetit europian.

Nisja është bërë nga Shqipëria –sigurisht për arsye teknike, jo për ndonjë simbolikë që mund ta ketë sugjeruar dikush.

Nuk dihet sa argëtues ka qenë udhëtimi, pas njoftimeve të Baton Haxhiut, i cili po ashtu ndodhej me ta brenda fluturakes, se aeroplani që ishte nisur në drejtim të Brukselit nga Tirana, njëherë kishte marrë drejtim të gabuar dhe po fluturonte drejt Republika Srpska, duke rrezikuar të hynte në hapësirë ajrore, që kontrollohet nga Serbia.

Gjithnjë sipas shkrimeve të publikuara në portalin që e drejton Haxhiu, skenari kur aeroplani me udhëheqës kosovarë do të përfundonte në hapësirën ajrore armiqësore, ishte evituar falë syçelësisë së Behgjet Pacollit, i cili e ka hetuar drejtimin e gabuar.

Pas këtij incidenti thuhet se pilotët ishin urdhëruar të fluturonin prapa, në Tiranë, për t’u nisur përsëri. Për gabimin u fajësua kulla që kontrollon fluturimet nga Aeroporti i Tiranës.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me autoritetet atje, por kjo ka qenë e pamundur, pasi telefonat në Rinas nuk janë hapur.

Derisa mbetet e paqartë vërtetësia e dramës ajrore të liderëve të cilët “po shkonin për t’ia bërë edhe një shërbim vendit”, udhëtimi me aeroplan privat i katër zyrtarëve të lartë të shtetit, njëri prej tyre pronar i avionit, nuk u trajtua nga askush.

Udhëtimi i liderëve me aeroplan luksoz që ka pronar një biznesmen, tash në petkun e zyrtarisht të shtetit, përbën konflikt interesi.

Gazeta Express ka pyetur Zyrën e Kryeministrit për këtë fluturim. Ata kanë lënë të kuptohet që udhëtimi me aeroplanin e biznesmenit të Pacolli të konvertuar në politikan, është krejtësisht normal.

“Ligji për Protokollin nuk e precizon mënyrën se si duhet te udhëtojë Kryeministri i vendit. Ka pasur raste kur Kryeministri ka udhëtuar edhe me low cost siç eshte wizz air” thuhet në përgjigjen për Express nga ZKM.

Në vitin 2005, një kryeministër vendi, nga radhët e AAK’së, Bajram Kosumi, i cili e kishte zëvendësuar Ramush Haradinajn që kishte shkuar në Hagë, ishte përfshirë në një skandal me aeroplan.

Kosumi ishte kthyer urgjent nga pushimet në Turqi me një avion privat për të realizuar një takim në Kosovë.

Kur mediat e kishin bërë të madhe udhëtimin e tij të shtrenjtë, Kosumi kishte deklaruar se pagesën ia kishin bërë miqtë e tij – duke shkaktuar një skandal edhe më të madh, pasi në bazë të ligjeve të para pavarësisë nuk lejohej që zyrtarët e lartë të shtetit të pranonin dhuratë më shumë se 50 euro, ndërkohë që udhëtimi i Kosumit atë kohë kishte kushtuar 30 – 40 mijë euro.

Nuk dihet nëse Pacolli i paguan vetë shpenzimet për aeroplanin, por në rast se po, kryeministri nuk do të duhej të ishte fare aty, sepse kjo do të ishte një dhuratë e shtrenjtë për të.

E nëse shpenzimet e avionit do të paguheshin me para të shtetit, kjo do të ishte një kosto e lartë për taksapaguesit për qejfe politikanësh./Gazeta

Related posts