Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka uruar Kosovën për rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se shpreson që shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur të vendosin për heqjen e vizave për Kosovën.
“Ekspertët konfirmuan se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Komisioni Evropian e ka vlerësuar punën e madhe dhe përkushtimin e Kosovës për reformat. Tani është në dorën e shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian për të vendosur për lëvizjen e lirë për Kosovën. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejtë”, ka shkruar Hahn.
E Kosovën për këtë lajm e ka uruar edhe Komisioni Evropian, nga i cili është vlerësuar se përpjekjet dhe angazhimet e Kosovës në këtë drejtim janë shpaguar me plotë meritë.