Një histori e denjë për skenar filmash ku protagonistë janë: një mashtruese, disa grabitës, policia dhe në rolin e të këqijve 4 shqiptarë. Mediat italiane i kanë dhënë hapësirë rrëmbimit të vajze 21-vjeçare nga Hotel Hilton i Milanos.
Ishin dëshmitarë okularë që njoftuan policinë pasi panë 4 persona të armatosur që e shoqëruan vajzën e re jashtë hotelit. Autorët e rrëmbimit ishin 4 shqiptarë të rinj të cilët kishin mësuar se vajza kishte me vete një valixhe me 2 milionë euro.
Në fakt valixhja ishte një mashtrim pasi pjesa më e madhe e parave ishin të falsifikuara. Vajza e re ishte një mashtruese e biznesmenëve të fuqishëm dhe ndodhej në hotel për “të peshkuar” disa biznesmenë indianë. Ajo dyshohet se planifikonte të mashtronte biznesmenët duke u blerë atyre pasuri të patundshme apo sende të çuara me para false.
Nuk dihet se si shqiptarët ishin vënë në dijeni të parave, por ata nuk e dinin se nga 2 milionë euro në valixhe vetëm 65 mijë euro ishin të vlefshme. Me të marrë njoftimin policia u vu në ndjekje të shqiptarëve dhe pas rreth një ore të gjithë u vunë në pranga.
Shqiptarët e arrestuar janë Françesk Gjoni, 22 vjeç, Artur Vrapi, 24-vjeç, Fatjon Gjini, 27 vjeç dhe Kristjan Tarja, 24 vjeç. Nga e gjithë kjo ngjarje nuk pati të lënduar, megjithatë të rinjtë shqiptarë tashmë duhet të përballen me një sërë akuzash të rënda. Ata dyshohen si autorë të një sërë grabitjesh në zonë. ©LAPSI.al