Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka quajtur të papranueshëm kërcënimin e familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të komunitetit serb.
Në këtë kontekst, Veseli ka deklaruar se institucionet e sigurisë së Kosovës kanë përmbushur misionin e tyre duke arrestuar pesë persona.
“Dënojmë të gjitha aktet që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e jetës së qytetarëve tanë. Dhe sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, se ne do t’i mbrojmë ata. Sot, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit. Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave evropiane dhe aspiratave për integrimin në BE”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Veseli ka thënë se çdo provokim nga Serbia lëndon procesin e dialogut për fqinjësi të mirë.
“Institucionet e Kosovës janë gjithmonë të gatshme për dialog dhe fqinjësi të mirë. Çdo provokim nga Serbia, që e lëndon këtë proces, nuk i kontribuon interesave të të dyja vendeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin e paqen në Ballkan”, ka shkruar Veseli.