Në mbarë Europën dhe Amerikën e Veriut, kthesa e shekullit përfaqësonte lulëzimin e mendimit supersticioz. Ky ishte një produkt i ankthit shpirtëror – njerëzit ndiheshin të humbur në këtë botë të re dhe të paqëndrueshme, dhe kjo nuk ishte askund më e qartë se sa në Gjermani.
Humbja e tyre në dukje e pakuptueshme në Luftën e Parë Botërore, u pasua nga keqmenaxhimi ekonomik dhe paqëndrueshmëria politike e Republikës së Vajmarit, duke sjellë përleshje urbane mes të djathtës dhe të majtës ekstreme, si dhe hiperinflacionin – faktorë që çuan më vonë në Depresionin e Madh global.
Por ajo që i dha asaj atmosfere të ndezur një cilësi unike të rrezikshme, ishte marrëdhënia midis nacionalizmit, antisemitizmit dhe të mbinatyrshmes. Një vend i ri, me dialekte të shumta dhe identitete rajonale, pakica të rëndësishme sllave dhe hebreje, dhe me një konflikt të heshtur dhe të paqëndrueshëm midis veriut protestant dhe jugut katolik, Gjermania u bashkua nën një flamur vetëm në 1871, ndërkohë që Austria mbeti pjesë e botës gjermanike, edhe por jo një pjesë e zyrtare e shtetit gjerman.
Shkurt, çështja se çfarë do të thoshte të ishte “gjerman”, nuk kishte marrë një zgjidhje reale. Simboli i këtij nacionalizmi luftarak, ishte padyshim kompozitori Rikard Vagner. Më 1869, pjesa e parë e asaj që do të bëhej epika e tij “Der Ring des Nibelungen”(Unaza e Nibelungëve) u shfaq fillimisht në Mynih.
I konceptuar si një shkëpyetje nga operat e stilit italian të karrierës së tij të mëhershme, “Nibelungen” krijoi një mitologji të re të përbashkët nga popujt para-krishterë norvegjikë dhe gjermanikë. Megjithëse admirohej gjerësisht, kjo mitologji u përfaqësua nga e djathta ekstreme:një hero ideal mashkullor, që mposht kundërshtarët e shumtë, me një pastërti shpirtërore kundrejt materializmit, dhe lakmitar ndaj drejtësisë së fituar me gjak.
Një tjetër agjent lidhës shpirtëror për këtë komb të copëtuar, ishte lëvizja popullore (volkish)
që u shfaq gjatë shekullit XIX-të, duke e vënë theksin tek pastërtia shpirtërore të jetës së fshatarëve gjermanë, dhe volkut të tyre që ishte korruptuar nga urbanizimi dhe krishterimi.
Për mendimtarët volkish, i tyri ishte një besim ekskluziv:Blut und Boden (Gjaku dhe Toka).
Toka dhe gjaku gjerman ishin të lidhura mes tyre, dhe për të qenë gjerman, duhet të kesh origjinën nga ky idil pagan para-industrial.
Në vitin 1903, okultizanti austriak Guido von List (dhe bashkëpunëtori i tij Jorg Lanz von Libenfels) popullarizuan një teori të re, që e lidhi këtë ndjenjë të urretjes në një formë të re të fuqishme:Ariosofi ose Armanizëm.
Një kontributor aktiv në revistat “volkish” mbi mitet e lashta (ai krijoi 18 figura Armanen Futharkh, më vonë të përdorur nga SS nazistë) dhe kultin e tij të adhurimit, Odinin. List besonte se të gjitha figurat e mëdha në histori dhe legjendare, ishin arianë, koha e artë e të cilëve ishte ndërprerë dhunshëm nga racat dhe kulturat inferiore.
List dhe Libenfels identifikuan Atlantisin – një objekt me magjepsje të veçantë për okultistët e shekullit XIX-të – me qytetërimin mitik Thule në Atlantikun e Veriut, duke lënë të kuptohet se arianët e lashtë ishin shpërndarë prej aty pas një përmbytjeje katastrofike, me linjat e gjakut më të pastër të superacës ariane, të vendosur në Gjermani dhe Himalaja.
Tani termi gjerman do të thoshte arian, dhe ata që nuk kishin mjaftueshëm “gjak arian” – për shembull për hebrenjtë dhe sllavët – shiheshin si një kërcënim ekzistencial për volkun. Voklkerët fanatikë, besonin se këto “raca më inferiore”, po helmonin bashkimin e shenjtë të kulturës dhe tokës së tyre të lashtë.
Kjo shumëllojshmëri heroizmash që ndoqi Vagner, e kaluara e imagjinuar pagane, dhe racizmi virulent i lëvizjes volker, dhe shumëllojshmëri të tjera okulte që lulëzuan në atë “ngrehinë” të absurdit- nga numerologjia, astrologjia, e deri tek homeopatia – ishin motorët që çuan në lindjen e pjesë e rëndësishme të së djathtës gjermane.
Ç’është më e rëndësishmja, këto rryma të mendimit entuziazmuan shumë njerëz, që do të vazhdonin të zinin vendin e tyre në krah të Hitlerit, pas ngjitjes së tij në pushtetit në vitin 1933. Zëvendës Fyhreri Rudolf Hes, dhe guvernatori famëkeq i Polonisë së pushtuar, Hans Frank, ishin të dy anëtarë të Shoqërisë Thule, e cila u rrit nga ‘völkisch Germanenorden’ (Rendi gjerman) dhe Reichshammerbund (Shoqata e Hekurt e Rajhut).
Të frustruar nga mungesa e suksesit elektoral, Shoqëria Thule ia besoi gazetarit të krahut të djathtë Karl Harrer, detyrën e shkëputjes së besimit të tyre nga okultët e urryer, dhe duke e
çuar atë tek klasa punëtore. Rezultati përfundimtar ishte Deutsche Arbeiterpartei (Partia e Punëtorëve Gjermanë), e bashkë-themeluar në vitin 1919 nga Harrer dhe Dietrich Eckart.
Ndërsa DAP u shndërrua në NSDAP (Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei ose Partia Nacional Socialiste e Punëtorëve Gjermanë) në vitin 1920, nën drejtuesin e ri karizmatik, Adolf Hitler.
Ata u shkëputën nga Shoqërinë Thule dhe e dëbuan Harrer, pasi kishin distancuar më herët anëtarët, mbështetësit dhe madje edhe gazetën zyrtare, Völkischer Beobachter (Vëzhguesi i Popullit), nga sponsorët e dikurshëm. Ministri i Ushqimit, Rikard Valter Dare, komandanti i Aushvicit Rudolf Hes, udhëheqësi i Rinisë Hitleriane, Baldur von Shirak, dhe Rajhfyhereri SS Hajnrih Himler u bashkuan në ligën ekstreme Artaman, e cila u formua në vitin 1923.
Artaman predikoi një tërheqje nga qytetet dhe krishterimi drejt fermave dhe solsticeve. Ata po kërkonin në Europën Lindore për “tokën gjermane” për ta shtënë atë në dorë, dhe kundërshtuan dhunshëm praninë sllave në kufijtë lindorë të një Gjermanie etnikisht të përzier.
Ashtu si Shoqëria Thule, Liga u “gëlltit” shpejt nga rritja e NSDAP dhe deri në vitin 1927, rreth 80 për qind e anëtarësisë së tyre ishin bashkuar me Hitlerin. Ndërsa në skenën politike të Gjermanisë së Vajmarit, organizata si Shoqëria Thule dhe Liga Artaman, ishin pak më shumë se sa klube raciste për amatorët e klasës së mesme, NSDAP ishte një lëvizje masive që evokoi frikërat e klasës punëtore gjermane .
Kjo parti premtoi punë, stabilitet, kohë të mira ekonomike, kapitullimin e armiqve brenda dhe jashtë vendit, dhe një botë të re sipas kushteve të tyre. Ajo mund të ishte ngjizur në retorikën e të mirës dhe të së keqes, fatit dhe volkut – që i përshkruan hebrenjtë me terminologjinë e vampirëve, dhe Hitlerit e gjuhën e shpëtimtarit – por këto ishin të nënshtruara ndaj realiteteve politike.
Vetë Hitleri, kishte shumë pak kontakte me skajet okulte të së djathtës gjermane dhe në fakt sektet ezoterike filluan të mbyllen që nga viti 1933, dhe aktivistëve më të sinqertë iu mbyll goja.
Për Fyhrerin, mbinatyrshmëria ishte një propagandë, një mënyrë për të kapsuluar dhe manipuluar atë dëshirë për diçka më të mirë, më të fortë, më vetë-siguruese, që shumë gjermanë të zakonshëm e ndjenin në atë kohë.
Ai përqafoi imazhet e Vagner, duke e parë veten si protagonistin e tij heroik Sigfrid, dhe u identifikuar me arketipin e “magjistarit” ose “profetit” – por këto ishin “kostumet” që do të visheshin në skenën politike.
Psikiatri zviceran Karl Jung, e ka përshkruar më së miri atmosferën e mbinatyrshme të prezantimit të Hitlerit, duke thënë në vitin 1942:”Ai është altoparlanti që zmadhon pëshpëritjet e padëgjueshme të shpirtit gjerman, derisa ato të dëgjohen nga veshi i vetëdijshëm gjerman… Fuqia e Hitlerit nuk është politike; ajo është një magji”. / All About History – Bota.al