Një burim i sigurt i Gazetës Express thotë se shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, po takohet me zv.kryeministrin, njëherit nënkryetarin e PDK’së, Enver Hoxhajn për t’u marrë vesh rreth dialogut me Serbinë. Ndërsa, në këto diskutime janë lënë anash figurat kryesore të LDK’së, nënkryetarët e partisë, Agim Veliu, Lutfi Haziri e Haki Rugova.
Gazeta Express ka kontaktuar Hotin për ta pyetur nëse po takohet me Hoxhajn dhe nëse kanë filluar të bëhen kompromiset e para për t’u përfshirë në dialog me Presidentin Thaçi kryenegociator, mirëpo ai nuk është përgjigjur në asnjë nga pyetjet e dërguara.
Presidenti Thaci, është shumë i interesuar të krijojë ekipin negociues edhe përkundër refuzimeve të njëpasnjëshme që i kanë ardhur nga spektri politik. Pro Thacit kryenegociator janë vetëm PDK dhe AAK.
Burimet e Expressit kanë thënë se për të arritur një pajtim të LDK’së, kanë filluar të bëhen kompromiset e para, rehatimin e disa prej njerëzve të LDK’së nëpër pozita. Fillimisht kanë qenë në pyetje pozitat e disa prej zyrtarëve të LDK’së.
Emërimi i asamblesitit të LDK’së në Prishtinë dhe ish-këshilltarit të Isa Mustafës, Sokol Havollit, si zëvendësguvernator në Bankën Qendrore duket të jetë marrëveshja e parë drejt rrugës që LDK të pranojë dialogun me kryenegociator Thacin.
Përveç kësaj LDK është e interesuar që ambasadorja Nazane Breca të vazhdojë të qëndrojë në detyrën e saj të cilën e kishte marrë dy vjet më parë.
Breca ka qenë deputete nga radhët e LDK’së gjatë mandatit 2010-2014, ndërsa është dekretuar ambasadore në Zvicër në vitin 2016, kohën kur PDK e LDK po rehatonin njerëzit e vetë nëpër ambasada, e Thaçi ishte ministër i Punëve të Jashtme.
Tash si president, Thaçi përsëri po merret personalisht me dekretime e tërheqje të ambasadorëve.
Edhe analisti Astrit Gashi është i sigurt se LDK veçse është involvuar në diskutime me pozitën për arritjen e një konsensusit – me Thacin kryenegociator.
Gashi, të hënën për Express, ka thënë se madje edhe ideja e përfshirjes në dialog të mediave dhe shoqërisë civile është produkt i bisedimeve të fshehta të disa zyrtarëve të LDK’së me Presidentin Thaci.
“Kjo ide rrjedh prej diskutimeve jo publike mes disa zyrtarëve të LDK’së dhe Thaçit dhe mendohet me shku si propozim platforme e qeverisë në Kuvend”, ka thënë Gashi të hënën për Express.
Analisti tha se LDK, për ta bërë më të pranueshme bashkëngjitjen në negociata, po duan të bëjnë disa modifikime, e përfshirja e shoqërisë civile dhe mediave është një nga to.
Ndërsa, kryeministrit Ramush Haradinaj në një intervistë për Gazetën Express dhe T7, ka thënë se veçse kanë filluar bisedimet për t’i bindur opozitën dhe se së shpejti do të mblidhen në një tryezë. /Express/