Liderët shtetërorë urojnë SHBA-të për 4 Korrikun: Kosova e përcaktuar për miqësi të përhershme me Amerikën
Liderët shtetërorë kanë uruar popullin dhe shtetin amerikan për Ditën e Pavarësisë, duke thënë se Kosova dhe qytetarët e saj janë të përcaktuar për miqësi të përhershme me Amerikën.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli shkruan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga themelimi i tyre, kanë qenë sinonim i ëndrrës për liri dhe sot janë gardiani më i madh në botë i demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe i paqes e sigurisë globale.
“Të gjithë qytetarëve amerikanë, që shërbejnë aktualisht në Republikën e Kosovës, qeverisë dhe popullit amerikan, urime 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë. Kosova dhe qytetarët e saj janë krenarë që, si në të kaluarën, edhe sot, e gëzojnë mbështetjen e kombit të madh amerikan”, shkruan Veseli.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, tha se populli i Kosovës u është përjetësisht mirënjohës qeverisë dhe popullit të SHBA-ve, për ndihmën e pazëvendësueshme në realizimin e aspiratës historike për liri dhe pavarësi
Haradinaj, duke uruar shtetin amerikan për 4 Korrikun thekson se Kosova me krenari është përcaktuar për aleancë dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, u përcjellë urimet më të përzemërta Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, amerikanëve me mision në Kosovë dhe të gjithë paqeruajtësve në radhë të KFOR-it. Populli i Kosovës u është përjetësisht mirënjohës qeverisë dhe popullit të SHBA-ve, për ndihmën e pazëvendësueshme në realizimin e aspiratës historike për liri dhe pavarësi”, shkruan Haradinaj.
Ai thekson se Kosova me krenari është përcaktuar për aleancë dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Besnikë të idealeve të lirisë dhe paqes, të cilave iu prin Amerika në botë, sot festojmë edhe ne, krah për krah me miqtë tanë!”, shkruan Haradinaj. /Telegrafi/