970×90
970×90

Intervistë me dermatovenerologun Dr. Rexhep Morina: Si ta mbrojmë lëkurën gjatë verës?

Intervistë me dermatovenerologun Dr. Rexhep Morina: Si ta mbrojmë lëkurën gjatë verës?

Ditët e nxehta të verës, përveç rehatisë dhe pushimeve, sjellin edhe rreziqe të shumta për shëndetin e lëkurës. Ekspozimi i zgjatur ndaj diellit dhe kontaktet me faktorë të ndryshëm të jashtëm mund të shkaktojnë probleme serioze dermatologjike. Për të folur më shumë rreth këtyre rreziqeve dhe mënyrave të mbrojtjes, kemi kontaktuar me Dr. Rexhep Morinën, dermatolog dhe specialist i sëmundjeve veneriane, i cili ndan këshilla të vlefshme për të gjithë lexuesit tanë.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta Projekti, dermatovenerologu i njohur, Dr. Rexhep Morina, ndan këshillat e tij profesionale mbi kujdesin ndaj lëkurës gjatë muajve të nxehtë të verës. Ai flet për faktorët që e dëmtojnë lëkurën, sëmundjet e zakonshme të kësaj stine, si dhe masat që duhet të ndërmerren për mbrojtje dhe parandalim.

Gazeta Projekti: Dr. Morina, cilët janë faktorët që e rrezikojnë shëndetin e lëkurës gjatë verës?

Dr. Rexhep Morina: Gjatë verës, njerëzit janë më të ekspozuar në natyrë – në fshat, në bjeshkë apo gjatë pushimeve në bregdet. Kjo rrit ndjeshëm kontaktin me faktorë të ndryshëm të jashtëm, të cilët ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm në shëndetin e përgjithshëm, por sidomos në lëkurë. Ndër faktorët më të zakonshëm janë ata fizikë – si rrezet e diellit – dhe ata biologjikë, si bakteret, viruset, myshqet dhe kërpudhat.

Gazeta Projekti: Cilat janë sëmundjet më të shpeshta të lëkurës që hasen gjatë verës?

Dr. Morina: Sëmundjet sezonale gjatë verës ndahen në dy kategori kryesore.

E para, janë ato që shkaktohen nga rrezatimi diellor:

  • Djegiet nga dielli (dermatiti solar)
  • Alergjitë nga dielli (urticaria solare)
  • Shfaqja e njollave në fytyrë si efelidet dhe melasma
  • Plakja e parakohshme e lëkurës tek individët që kanë kontakt të vazhdueshëm me diellin (si bujqit apo marinarët)
  • Parakancerozat si keratoza aktinike, keiliti solar, lentigo solaris, që në disa raste mund të evoluojnë në forma më të rënda si karcinomat e lëkurës (spinalioma dhe basalioma).

Kategoria e dytë përfshin sëmundjet e shkaktuara nga faktorë biologjikë: pickimet e insekteve (mushkonjat, bletët etj.), infeksionet bakteriale (pyodermit), virusale dhe ato mikotike. Po ashtu, gjatë kësaj stine kemi një shfaqje të shtuar të alergjive të lidhura me ushqimin, për shkak të shumëllojshmërisë së konsumit.

Gazeta Projekti: Cilat masa mbrojtëse rekomandoni për lëkurën gjatë verës?

Dr. Morina: Masat mbrojtëse janë thelbësore, veçanërisht ndaj efekteve negative të rrezeve ultraviolet (UV). Duhet përdorur rregullisht preparate mbrojtëse – si kremra dhe emulsione me faktorë mbrojtës (SPF) – të përshtatura për moshën dhe tipin e lëkurës. Po ashtu, duhet kufizuar ekspozimi ndaj diellit, veçanërisht në orët më të nxehta të ditës, pra ndërmjet orës 11:00 dhe 16:00. Rrezitja në ditët e para duhet të jetë e shkurtër dhe graduale. Lëkura që është djegur nuk duhet të ekspozohet më tej, derisa të jetë qetësuar plotësisht.

Veçanërisht kujdes duhet të kenë fëmijët para pubertetit dhe personat me nevuse të shumta (benga).

Gazeta Projekti: A ka edhe efekte pozitive ekspozimi në diell?

Dr. Morina: Patjetër. Dielli është burim jete. Rrezet e tij kanë efekt antistres, ndihmojnë në prodhimin e vitaminës D dhe janë të dobishme për sistemin kockor. Në kushte të kontrolluara, rrezatimi diellor ka efekt shërues për disa sëmundje si: tuberkulozi, psoriaza, likeni i rrafshët, disa forma të ekzemave, neurodermiti dhe puçrrat e rinisë.

Gazeta Projekti: Po për efektet negative, çfarë duhet të dimë?

Dr. Morina: Efektet negative vijnë kryesisht nga neglizhenca dhe mungesa e masave parandaluese. Ekspozimi i tepruar dhe në orare të papërshtatshme rrit rrezikun për djegie, plakje të parakohshme të lëkurës dhe zhvillim të karcinomave. Rrezet UVA dhe UVB janë më intensive nga ora 11:00 deri në 14:00 – dhe ky është intervali më i rrezikshëm.

Gazeta Projekti: Cili është tipi i lëkurës më i rrezikuar për zhvillimin e kancerit të lëkurës?

Dr. Morina: Fototipat I dhe II të lëkurës – që karakterizohen nga ngjyrë e bardhë ose e kuqërremtë, me tendencë për djegie dhe jo për nxirje – janë më të predispozuar për kancer të lëkurës. Këto lloj lëkure nuk prodhojnë mjaftueshëm melaninë, pigmenti që ofron mbrojtje natyrale ndaj rrezeve UV. Ndërsa fototipat III dhe IV, me lëkurë ngjyrë kafe ose të errët, nxihen më lehtë dhe djegien më rrallë.

Gazeta Projekti: Cila është rëndësia e përdorimit të preparateve me faktor mbrojtës (SPF)?

Dr. Morina: Preparatet antisolare janë thelbësore për mbrojtjen e lëkurës. Ato ekzistojnë në forma të ndryshme – kremra, qumësht, vajra – dhe janë të përshtatura për fëmijë apo të rritur. Faktorët mbrojtës fillojnë nga SPF 15, 20, 30, 50 e deri te “total block”. Zgjedhja varet nga tipi i lëkurës dhe koha e ekspozimit në diell.

Gazeta Projekti: Faleminderit për këshillat dhe informacionin e vlefshëm, Dr. Morina!

Dr. Morina: Faleminderit juve për mundësinë. Kujdesi ndaj lëkurës është pjesë e kujdesit për shëndetin në tërësi, sidomos gjatë verës kur sfidat janë më të mëdha.

Related posts