
“Fordow u shkatërrua”. Ishte ky një ndër disa postimet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump pas sulmit të suksesshëm ndaj objektivave bërthamore të Iranit.
Trump shpreson që sulmet që ai urdhëroi ndaj tre objekteve bërthamore iraniane do ta shtyjnë Teheranin të rikthehet në negociata dhe aktualisht nuk ka në plan të ndërmarrë veprime të tjera ushtarake brenda Iranit, ndërsa u bën presion udhëheqësve iranianë që të “bien dakord për t’i dhënë fund këtij lufte,” sipas burimeve të njohura me çështjen.
Trump kishte filluar të besonte gjatë ditëve të fundit se forcat amerikane ishin të nevojshme për të shkatërruar objektet bërthamore të fortifikuara të Iranit, dhe mori vendimin kur u bë e qartë se diplomacia kishte ngecur.
Ndërsa Trump vazhdon të shpresojë se diplomacia do të mund të vazhdojë, forcat amerikane në rajon janë të përgatitura për një kundërpërgjigje nga Irani.
Ndërkohë banorët e një qyteti pranë impiantit Fordow dëgjuan shpërthime, raportojnë mediat shtetërore iraniane.
Banorët e qytetit Qom, rreth 140 kilometra në jug të Teheranit, dëgjuan disa shpërthime jashtë qytetit të tyre, sipas agjencisë shtetërore iraniane FARS News.
Impianti bërthamor Fordow ndodhet pranë Qom-it dhe është ndërtuar brenda një mali.
Sipas FARS, shpërthimet ndodhën pasi u aktivizua sistemi i mbrojtjes ajrore në Fordow.