
Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur grumbullimin e informacioneve dhe verifikimin e tyre në lidhje me hetuesin policor, Rrahman Përçuku për të cilin gazetari Lirim Mehmetaj të mërkurën ka shfaqur pretendime se i njëjti ka marrë 60 mijë euro grant në emër të bashkëshortes së tij nga Ministria e Bujqësisë e cila drejtohet nga Faton Peci.
Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga IPK-ja duke thënë se bazuar në të gjeturat do të ndërmerren edhe veprimet tjera.
“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton se sipas detyrës zyrtare ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe verifikimit të tyre, veprimet tjera do të ndëmerren bazuar në të gjeturat dhe autorizimeve ligjore të Inspektoratit Policor”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Reporteri.net.
Gazetari Mehmetaj po pretendon se një hetuesi policor Rrahman Përçuku, i cili ishte duke hetuar disa raste ku dyshohet se ishte përfshirë ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci është përfshirë në një aferë korruptive.
“Hetuesi që ka pas me hetu Faton Pecin te krimet ekonomike për aferën e fundit, por edhe aferat e tjera përfshirë këtë për funksionalizimin e fabrikës për grumbullimit të nënprodukteve shtazore ka dalë që është përfitues i subvencioneve nga Faton Peci”, pretendon Mehmetaj.
Në një të publikuar të mërkurën, Mehmetaj tregoi listën e përfituesve të granteve, ku si e katërta në listën e përfituesve del Halime Përçuku BI me projektin :Investime në turizmin rural-Bujtina”.