
Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën më 7 prill ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Hysri Selimit, i dyshuar për spiunazh.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë të publikuar nga “Betimi për Drejtësi“, Hysri Selimi dyshohet se nga data e pacaktuar e deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, si i rekrutuar nga Agjencia e Intelegjencës dhe Sigurisë së Serbisë (që njihet si BIA), ka ndihmuar punën e këtij shërbimi në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informatave që kanë të bëjnë me personat e radikalizuar dhe numrin e pjesëmarrjes së tyre në luftën në Siri, si dhe për zyrtarë të lartë të partive politike, dhe informacione rreth institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Si shpërblim për këtë shërbim, Prokuroria thotë se zyrtarët e BIA-s në takimet në Serbi, e kanë paguar Selimin deri në 700 euro, si dhe i kanë dhënë telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e BIA-s.
Përmes këtyre veprime, sipas Prokurorisë, Selimi ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.
Prandaj, për këto veprime, Hysri Selimi dyshohet për veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Selimi u arrestua të martën, në një aksion të përbashkët të Policisë, Prokurorisë dhe AKI-së.
Gjykata ka konsideruar se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale.