
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Maka me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit dhe politikanit Agim Maka.
Në mesazhin e saj, Presidentja Osmani e vlerëson lartë kontributin e Agim Makës në jetën politike të vendit, duke theksuar përkushtimin e tij të palëkundur për të mirën e atdheut.
“Agimi ishte një qytetar shembullor, i çmuar në jetën politike të vendit dhe një njeri që dëshmoi përkushtim të thellë në angazhimin për atdheun. Kontributi i tij do të mbetet gjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive,” thuhet në telegramin e Presidentes Osmani.
Ajo i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Maka, duke u bashkuar me ta në dhimbjen për humbjen e një njeriu me vlera të larta njerëzore dhe kombëtare.