Shkruar nga Astrit Veliqi
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit ka arritur kulmin e saj me të madh, ku subjektet politike garuese po ‘trumbëtojnë’ secila me entuziazëm e zjarrmi të madhe për kolltukun e ëmbël të pushtetit.
Por derisa kemi hy në javën e fundit të kësaj fushate, subjektet politike po prezantojnë programet e tyre para elektoratit, secila me takatin e vet dhe me listën e tyre të kandidatëve për deputet.
Por çka e ka karakterizuar trejavëshin e parë të kësaj fushate zgjedhore?
Është më të vërtetë e habitshme kur e kemi dëgjuar gjuhën shpesh nxitëse e fyese mes subjekteve, përplasjet e fuqishme të liderëve, piskamat e tyre për të joshur sa më shumë votuesin dhe polarizimet pushtet-opozitë në tubimet e tyre masive dhe studio televizive por edhe në rrjetet sociale.
Kjo zjarrmi dhe çirrje shpesh e pakontrolluar e liderëve dhe kandidatëve për kryeministër për ta marrë ‘karrigen e pushtetit’ duke fyer, sharë por edhe etiketu në format më të ulëta njëri-tjetrin nuk mbahet mend dhe si e tillë nuk është parë në fushatat e mëparshme zgjedhore.
Andaj “alla fushata’ kosovare e cila po organizohet tash e tri javë ka zgjedhur të jetë e përqëndruar në hotele të ndryshme, salla sportive, sheshe, fshatra, kulla e oda shqiptare, ku liderët dhe kandidatët secili me zellin e tyre po mundohen ta bëjnë votuesin për veti me premtimet e tyre shpesh edhe ‘astronomike’.
E kur jemi të premtimet ‘megalomane’ të kandidatëve për kryeministër, duhet ndal pak për të parë me ‘kokën e ftohtë’ se cilat prej tyre janë të realizueshme e cila prej tyre duket më shumë ‘groteste’ e në fund të mandatit kur edhe i merr era dhe i mbulon pluhuri i harresës qeveritare.
Premtimet e fuqishme në fushatë kanë qenë kryesisht në ekonomi, siguri, arsim, shëndetësi, integrim dhe mirëqënie sociale.
Prandaj kosovarët sot janë para dy zgjedhjeve:
O ta votojnë qeverisjen e kaluar me LVV-në dhe partnerët e koalicionit, ku dorën në zemër nuk janë përbushur pritjet e mëdha të cilat i kanë pasur qytetarët ndaj tyre ose ta bëjnë një ndryshim me opozitën, ku si zgjidhje janë PDK, LDK, AAK me koalicionin e saj dhe Lista për Familjen, të cilat po kërkojnë me çdo kusht të sjellin një ndryshim për Kosovën.
Por element tjetër që ka ra në sy në këtë fushatë janë lista e kandidatëve për deputet, ku pothuaj në secilën parti janë futur të vjetrit, emra të rinj nga fusha të ndryshme, duke mos munguar as ‘anonimusat’.
Politikanë, juristë, ekonomistë, zejtarë, tregtarë e biznesmenë por nuk kanë munguar as aktorët, gazetarët por edhe këngëtarët. Sikurse një pjesë e kandidatëve kanë ardhë edhe nga diaspora ku pjesa më e madhe e tyre e kanë begrandin e biznesmenëve.
E përveç ‘luftës së madhe’ e cila pritet të zhvillohet për secilën votë të dielen e 9 shkurtit mes subjekteve politike, ku LVV garon edhe për një mandat me liderin e saj ‘shpirtëror’ Albin Kurtin, luftë e fuqishme do të jetë edhe në PDK me kandidatin e tyre për kryeministër, Bedri Hamzën, një ekonomist i dëshmuar, sikurse në LDK me Lumir Abdixhikun, një ish-ministër i dëshmuar dhe AAK me koalicionin e saj me Ramush Haradinajn, një ish-kryeminstër që e bëri vendin me ushtri dhe Lista për Familjen, e cila në fokus të saj e ka qënien e familjes.
Por përveç kësaj ‘luftë e fuqishme’ për secilën votë do të ketë edhe mes kandidatëve në subjektet e tyre partiake ku secili me takatin dhe ‘muskujt e tyre’ do të mundohet që pas 9 shkurtit ta zë një vend në karrigen e deputetit.
Megjithatë, se sa janë të ndjeshëm, human e solidarë liderët tanë u pa me tragjedinë në Jabllanicë të Gjakovës ku humbjen jetën tre të mitur.
As atë ditë morti, liderët dhe subjektet politike nuk i ndalën tubimet dhe fushatën zgjedhore, duke u ‘gajasur’ mbi tragjedinë e atyre familjeve që humbën fëmijët e tyre në lule të rinisë, se për shpalljen e një dite zie as presidentes nuk i ra ndërmend.
Çfarë pritet më shumë prej kësaj klase politike…?!
Por se qysh do të shkojnë gjërat dhe si do të dalin rezultatet zgjedhore, mbetet për tu parë me 9 shkurt kur sovrani me votën e tij të lirë do të vendos se kush do ta udhëheqë Kosovën në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.
/Autori është gazetar, letrar dhe opinionist/