Komisioni Evropian para datës 11 korrik të këtij muaji do të dalë me një vlerësim se deri ku ka shkuar shteti i Kosovës sa i përket përmbushjes së kushteve që çojnë drejt liberalizimit të vizave. Kështu thotë deputeti i Alternativës, Ilir Deda, në një prononcim për Gazetën Express.
Pas kalimit të Demarkacionit me Malin e Zi, proces ky që ia mori Kosovës plot tre vjet, tash pritshmëritë e kosovarëve për heqjen e vizave janë rritur dukshëm. Krejt ky optimizëm për liberalizim vizash ka ardhur pasi ndërkombëtarët deklaronin vazhdimin se vetëm demarkacioni është kushti i vetëm që i hap rrugë liberalizimit.
Kësisoj, Komisioni Evropian, shpejt pritet të japë një vlerësim se ku gjendet Kosova sa i përket kësaj çështjeje.
Ilir Deda, në një prononcim, të enjten, për Gazetën Express, ka thënë se nuk e dinë saktë datën se kur do të ndodhë vlerësimi i Komisionit Evropian për Kosovë rreth vizave, por që e bën të qartë se kjo do të ndodhë para 11 korrikut.
“Para 11 korrikut del, por saktë po pres ta marrë vesh edhe unë”, u shpreh deputeti i Alternativës.
Deda ka refuzuar të tregojë se cilat janë pritshmëritë e tij nga ky vlerësim, por thekson se këtë do ta bëjë vetëm pas raportit.
Ndërkaq, pak më herët, edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se raporti pritet të dalë ditëve të ardhshme. Ajo është shprehur optimiste se rekomandimi do të jetë pozitiv.
Nga vizita e fundit që ministrja Hoxha ka pasur në Bruksel, sipas kësaj të fundit del se nuk do të ketë shtyrje të rekomandimit. Tha se janë ka siguruar votat pro nga eurodeputetët. /GazetaExpress/