970×90
970×90
970×90
970×90

Prokuroria ngrit aktakuzë në rastin e Liridona Ademajt, përmenden edhe motivet e vrasjes

Prokuroria ngrit aktakuzë në rastin e Liridona Ademajt, përmenden edhe motivet e vrasjes

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur sot aktakuzë lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ndaj ish-bashkëshortit të saj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës.

Prokurorja e rastit përmendi si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri tek problemet pasurore, shkruan Reporteri.net.

“Mund të themi që përderisa kanë jetuar në Suedi, Liridona dhe Naimi, kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore dhe familjare gjatë të cilave ka ardhur edhe deri tek problemet pasurore, e për arsyet e tjera që i ka pasur Naimi që ta planifikojë dhe ta bëjë këtë vrasje, mund t’i kuptoni në Gjykatë”, ka deklaruar Prokurorja.

Ajo tha se edhe çështja e motivit e ka vonuar ngritjen e kësaj aktakuze.

“Duhet të sqarojmë përse ka kaluar një kohë e gjatë që nga ngritja e aktakuzës. Duhet të themi që provat materiale në këtë lëndë janë grumbulluar shumë shpejt, megjithatë se çka ka munguar, ka munguar motivi që ka shtyrë kryerësit për veprën. Meqenëse e ndjera ka jetuar një kohë të gjatë në Suedi dhe për këtë arsye organeve atje u jemi drejtuar që të na ofrojnë të dhëna dhe kemi marrë raportin në ato pyetje të cikat iu kemi parashtruar organeve kompetente atje dhe atëherë kemi mundur të gjejmë motivin që e ka shtyrë Murselin për likuidimin e Liridona Ademajt. Derisa nuk i kemi pasur këto të dhëna për të krijuar një pasqyrë për marrëdhëniet familjare në mes tyre, nuk kemi ngritur aktakuzën. Të gjithë të përfshirët kanë marrë pjesë aktive në përgatitjen e veprës penale dhe sigurimin e mjeteve për kryerjen e kësaj vepre”, tha prokurorja.

Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë

Rasti fillimisht ishte cilësuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Në raportin 24 orësh të Policisë, një ditë pas ngjarjes, thuhej se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dalip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 –20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Më pas ditën kur u varros Liridona, Policia arrestoi Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, si të dyshuar për involvim në këtë rast.

Dyshimet janë se vrasjen e kishte kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit.

Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

Në një njoftim që kishte lëshuar Gjykata për caktimin e paraburgimit ndaj Murselit, Plavës dhe Kokallës, kishte dhënë një përshkrim për dyshimet si ishte kryer vrasja.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”.

Më 9 dhjetor të vitit 2023 ishte arrestuar edhe një person tjetër për këtë rast. I dyshuari i katërt është T.D., nga Novosella e Gjakovës. Ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.

Related posts