Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, për, siç tha, të diskutuar një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe tragjike të historisë moderne të Kosovës: Masakrën e Reçakut dhe dëshminë e paçmueshme të Ambasadorit Walker për këto ngjarje.
Zyra e Kryeministrit tha se derisa Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e Ambasadorit Walker në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë, si dhe për kontributin e tij në përkujdesjen dhe promovimin e ndihmës ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ai ka theksuar gjithashtu “rolin domethënës dhe proaktiv të Qeverisë së Kosovës në përpjekjet për ta bërë të mundur botimin e librit të memoarëve të Ambasadorit Walker, i cili dokumenton ngjarjet e tmerrshme të Masakrës së Reçakut”.
Kurti shtoi se ky libër dhe këto “dëshmi të Ambasadorit Walker do të shërbejnë si një mjet për promovimin e së vërtetës për Kosovën dhe për forcimin e narrativës ndërkombëtare që vendi ynë ka përjetuar gjenocid nga ana e shtetit të Serbisë. Vepra si ky libër na ndihmojnë të ruajmë kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme si masakra e Reçakut”.
ZKM e theksoi se Qeveria ka ndarë 70,000 euro për këtë iniciativë.
“Në vijim, u vlerësua angazhimi i Qeverisë për realizimin e këtij projekti gjersa më 11 janar 2023, Qeveria kishte miratuar vendimin për financimin e hulumtimit, shkrimit, editimit, përkthimit, shtypit dhe promovimit të librit të Ambasadorit Walker, me një mbështetje financiare prej 70,000 eurove për këtë iniciativë të rëndësishme”.
“Ky financim do të sigurojë që ky libër të arrijë deri te audienca më të gjera dhe të kontribuojë në edukimin e brezave të rinj për historinë e Kosovës dhe luftën e saj për liri”.
ZKM shtoi se “ky libër pasqyron perspektivën e Ambasadorit Walker si shef i Misionit Verifikues të OSBE-së dhe është një pasqyrë e vërtetë dhe e pazëvendësueshme e ngjarjeve që ndodhën më 15 janar 1999 në fshatin Reçak. Ai është një akt i rëndësishëm që kontribuon në dokumentimin dhe shpërndarjen e dëshmive autentike për krimet e kryera nga regjimi i Serbisë në Kosovë, duke çuar përpara njohjen ndërkombëtare të gjenocidit që ka ndodhur në vendin tonë gjatë periudhës së luftës. Libri kujton viktimat e masakrës së Reçakut dhe nderon të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës”.
“Pavarësisht 26 viteve të kaluara, Qeveria e Kosovës dhe populli ynë mbeten të angazhuar për të siguruar që e vërteta të mos harrohet kurrë dhe që përgjegjësit për gjenocidin të përballen me drejtësinë”.