Autoritetet greke kanë konfirmuar rastin e parë të virusit respirator HMPV në një pacient në Selanik.
Një 71-vjeçar me probleme shëndetësore po trajtohet në ICU të Spitalit Papanikolaou në Selanik.
Sipas burimeve spitalore, vajza e pacientit kishte udhëtuar në Kinë gjatë Krishtlindjeve dhe pas kthimit raportohet se kishte simptoma të gripit.
Sipas të njëjtave burime, bashkëshortja e 71-vjeçarit u sëmur gjithashtu, por simptomat e saj ishin të lehta, si të vajzës së tyre.
Megjithatë, burri, për shkak të problemeve shëndetësore, shfaqi simptoma të rënda dhe kërkoi shtrimin në spital, shkruajnë mediat greke, përcjell Telegrafi.
Por, mjekët grekë po sigurojnë publikun se nuk duhet të bëjnë panik.
“HMPV nuk është diçka e re. Ne e dimë prej vitesh”, tha Stelios Loukidis, profesor i Pulmologjisë.
Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), HMPV është një virus i zakonshëm dhe i përket familjes Pneumonoviridae së bashku me virusin sincicial të frymëmarrjes RSV.
Shkakton infeksion të rrugëve të frymëmarrjes dhe është një sëmundje sezonale që shfaqet zakonisht në dimër.
Gjithashtu, simptomat e HMPV janë të ngjashme me ato të një ftohjeje.
Shumica e pacientëve me HMPV kanë simptoma të lehta të rrugëve të frymëmarrjes të ngjashme me ato të një ftohjeje, duke përfshirë kollën, rrjedhje hunde, dhimbje të fytit dhe temperaturë.
Simptomat zakonisht zgjasin rreth 2-5 ditë.
Në rastet më të rënda, pacientët mund të kenë vështirësi në frymëmarrje dhe sulme astme dhe mund të zhvillohen infeksione dytësore të rrugëve të frymëmarrjes, si bronkiti ose pneumonia, që kërkojnë kujdes mjekësor shtesë.
Ata që janë më të rrezikuar nga komplikimet nga sëmundja përfshijnë fëmijët e vegjël nën moshën pesë vjeç, njerëzit me sistem imunitar të dobët dhe të moshuarit.
Virusi HMVP transmetohet nga një person i infektuar tek tjetri përmes sekrecioneve nga kollitja dhe teshtitja dhe prekja e sipërfaqeve të kontaminuara.
Cilat vende kanë parë një rritje të rasteve të HMPV?
Në Kinën veriore rastet e HMPV janë rritur tek fëmijët 14 vjeç e lart, sipas Institutit të Kinës për Sëmundjet Infektive.
Kulmi përkon me muajt e ftohtë të dimrit, gjatë të cilëve infeksionet respiratore janë më të përhapura.
Vende si India dhe Mbretëria e Bashkuar kanë raportuar gjithashtu rritje sezonale të HMPV që nga fundi i vitit 2024.
India ka raportuar shtatë raste të konfirmuara të HMPV në disa shtete, duke përfshirë Karnataka, Gujarat, Maharashtra dhe Tamil Nadu.
Në Mbretërinë e Bashkuar, midis 23 dhe 29 dhjetorit të vitit të kaluar, rreth 4.5% e mostrave të testuara në laborator ishin pozitive për HMPV.
Ndërsa të dhënat e sakta globale për virusin janë të pakta pasi mbikëqyrja dhe raportimi i tij nuk është aq i fortë sa për COVID-19.