Shefja e re e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka përfunduar takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ndërkohë, të gjitha palët janë deklaruar me detaje rreth këtyre diskutimeve.
Kryeministri i Kosovës pas takimit para gazetarëve ka thënë se në takim e ka njoftuar kryediplomaten evropiane për hetimet rreth sulmit të 29 nëntorit në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.
“Ka armatim të konfiskuar dhe materiale që janë gjetur. Nga 74 emblema që u konfiskuan, 20 prej tyre janë ruse, prej njësive të ndryshme ruse, të tjerat janë kryesisht serbe. Është edhe një e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që na bën të mendojmë se dikush ka dashur që hetimet e ardhshme të shkojnë në drejtim të gabuar, apo siç thuhet në fjalorin e NATO-s ‘false flag operation’” – ka thënë ai.
Tutje, ai ka shtuar se takimi i sotëm ka qenë më shumë për t’i dëgjuar ata, derisa sipas tij, ka pritje nga Kallas.
“Takimi i sotëm ka qenë më shumë për të na dëgjuar neve. Dhe do t’i dëgjojë edhe të tjerët dhe nuk ka dyshim se vitin e ardhshëm do ta intensifikojë procesin për paqe dhe integrim, duke punuar me ekipin e saj. Por, çfarë forme do të merr kjo, është vështirë të thuhet tash. Qartë, ajo po tregon përkushtimin e saj për rajon dhe kjo është shenjë e mirë edhe për Kosovën, që ka pritje nga zonja Kallas, por edhe për gjithë rajonin.” – tha ai sipas “REL”.
Kallas: Mirëprita gatishmërinë për bashkëpunim pas sulmit terrorist
Kallas në një shkrim në rrjetin social “X” ka thënë se rruga e vetme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është normalizimi i marrëdhënieve.
Po ashtu, ajo ka shtuar se ka mirëpritur gatishmërinë e dy palëve për bashkëpunim të plotë pas sulmit të fundit terrorist.
“Takova Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurtin sot. Rruga e vetme për anëtarësim në BE është përmes ormalizimit të marrëdhënieve të tyre, në bazë të marrëveshes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë për bashkëpunim të plotë pas sulmit të fundit terrorist. Përgjegjësigt duhet të përballen me drejtësinë.” – ka shkruar ajo, transmeton Nacionale.
Në anën tjetër, Vuçiq ka përmendur Banjskën. Përmes një njoftimi, ai ka thënë se Kallas i ka kërkuar atij zgjidhje për rastin e Banjskës si dhe për dialogun me Kosovën.
“Një bisedë e hapur dhe e vështirë me Kaja Kallas. Ata folën për rrugën evropiane të Serbisë, ndërsa përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë.” – ka shkruar Vuçiq.