Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë reaguar ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili ditën e hënë ka bërë disa kritika drejtuar sistemit të drejtësisë.
Kurti në fjalimin e tij para deputetëve ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund ta bëjë edhe prokurorinë dhe gjyqësinë, dhe se Prokuroria ende nuk ka zbardhur rastin e Astrit Dehari, transmeton Telegrafi.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) në reagimin e tyre thonë se detyrohen që edhe një herë të reagojnë ndaj deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, konkretisht ndaj deklaratës së Kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili dje nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza të padrejta në drejtim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Prokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.
“Deklaratat e Kryeministrit për raste individuale, duke i interpretuar ato në mënyrën e tij dëshirore, pa i ditur faktet dhe duke e keqinformuar publikun në mënyrë të qëllimshme, lëndojnë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, përbëjnë ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë në punën e Prokurorisë dhe cenojnë rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, theksohet se “Një qasje e tillë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dëmton funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet institucionale për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe në vend që Kryeministri t’i mbështesë kërkesat buxhetore të sistemit prokurorial, ai zgjedhë rrugën e sulmeve ndaj institucioneve të Prokurorit të Shtetit”.
“Andaj, KPK dhe ZKPSH i bëjnë thirrje Kryeministrit të vendit, anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të partisë në pushtet që të jenë të përmbajtur, të tregojnë sjellje të përgjegjshme institucionale dhe të mos tentojnë që përmes diskursit dhe retorikës politike ta sulmojnë sistemin prokurorial”, vijon reagimi i tyre.
Ndryshe, Kurti të hënën ka adresuar akuza ndaj sistemit të drejtësisë, veçmas kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
“Qeveria e Kosovës nuk mund ta bëjë edhe prokurorinë dhe gjyqësinë. Prokuroria duhet të zbardh rastin e shokut tonë, të mbytur në burgun e Prizrenit me 5 nëntor 2016, Astrit Dehari. Prokuroria nuk është reformuar. Ne vitin e ardhshëm i bëjmë 4 vjet qeverisje, por KPK-ja është e njëjta. Aty në krye edhe më tutje me ndikim dhe funksion është Blerim Isufaj, i cili vrasjen e Dino Asanaj e shndërroi në vetëvrasje dhe vetëvrasjen e Ismet Sopës e shndërrojë në vrasje. Ky është problemi të nderuar deputetë….Edhe në krye të Gjykatës Kushtetuese edhe në krye të Prokurorisë së shtetit kemi njerëzit e njëjtë, pasi ata s’po dalin në zgjedhje në popull pasi ish marr vesh çka mendon populli për ta. Prandaj ka këtë ngecje. Edhe iniciativa për reformimin e sistemit të drejtësisë po përfundojnë në sistemin e drejtësisë i cili s’po dëshiron të reformohet”, u shpreh ai.