Ambasadori britanik, Ruairi O ‘Connell thotë se është inkurajuese të sheh që Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri e përshkruan rastin e Xhabir Zharkut si të turpshëm.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës meritojnë një veprim konkret për të ndaluar përsëritjen e rasteve te ngjashme në te ardhmen.
“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë. Një hap i parë i mirë do të ishte heqja e dispozitave ligjore që lejojnë kriminelët e dënuar t’i shmangen vuajtjes së dënimit. Ky është një test për gatishmërinë e Kosovës për ta luftuar kriminalitetin në politikë”, ka shtuar ai.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se bashkohet me vlerësimin e ambasadorit britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell rreth ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.
Në pyetjen se si e komenton kthimin e Zharkut në Kosovë, Tahiri duke mos ia përmendur emrin, tha se Zharku është turpi i Kosovës dhe rastet e tilla nuk duhet të përsëriten.
“I bashkohem ambasadorit britanik, është turpi i Kosovës, por rastet e tilla nuk duhet të na demotivojnë që ta mbështesim gjyqësorin. Rastet e tilla nuk duhet të përsëriten”, tha Tahiri.