Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim gjeneralin Wesley K. Clark, ish-komandant suprem i NATO-s për Evropë, i cili udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, e cila luajti një rol të rëndësishëm për lirinë e Kosovës.
Në takim me gjeneralin Clark, Presidentja Osmani theksoi progresin e Kosovës ndër vite, duke vënë në dukje punën e vazhdueshme për ta forcuar pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare, sikurse edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Vendosmëria dhe lidershipi juaj i kontribuuan lirisë së Kosovës, duke siguruar një të ardhme ku dinjiteti mbizotëron mbi frikën dhe shtypjen”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani e ardhmja e Kosovës është e qartë në synimin për integrimin euroatlantik dhe partneritet të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara.
Gjatë ditës së djeshme për mediat e Shqipërisë, Clark tha se është krenar që udhëhoqi, fushatën e sulmeve të NATO-s për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër popullatës në Kosovë.
Clark po ashtu tha se Serbia duhet ta pranojë të ardhmen pa Kosovën.
Clark në intervistë për “ABC News” shtoi se Serbia duhet ta pranojë Kosovën dhe ta vijojë të ardhmen me pranimin e këtij fakti.
“Nuk më pëlqen të shoh tensione. Të gjithë diplomatët kanë thënë se po punojnë por shpresën që të ketë një zgjedhje, por Serbia duhet t’i njohë faktet dhe faktet janë që ka pasur krime, vrasje në Kosovë gjatë qeverisjes së Millosheviqit. Ka pasur spastrim etnik si në Bosnje dhe në Kosovë pasi njerëzit janë sulmuar, vrarë, dhe nuk mund të kthehen dhe të jetojnë në paqe shumë thjesht me njëri-tjetrin. Serbia duhet ta pranojë Kosovën, ta pranojë të ardhmen pa Kosovën. Pse të mos kenë marrëdhënie të mira, turizëm dhe tregti me njëri-tjetrin. Të ndalojnë sulmet, e shkuara ka mbaruar“, shtoi ai.