I tallur nga kritikët, por i adhuruar nga fansat, seriali i suksesshëm i Netflix, “Emily in Paris” është bërë subjekt i një përplasjeje “diplomatike”, shkruan “The Telegraph”.
Franca dhe Italia janë armiqtë më të mirë që grinden për ushqimin, futbollin, modën, për të mos përmendur pse Mona Lisa është në posedim të Luvrit, e jo në një muze në Romë.
Tani një “luftë” e re ka nisur dhe ka të bëjë pikërisht me “Emily in Paris”.
Për ata që nuk e dinë, “Emily in Paris” është një serial mbi Emily, një amerikane që jeton në kryeqytetin francez, derisa lundron mbi jetën, punën, romancën, në të njëjtën kohë, duke u veshur me rroba jashtëzakonisht të modës së lartë.
Përderisa ka shumë gjëra që i lidhin francezët dhe italianët, ka edhe dallime të mprehta. Siç ka thënë poeti dhe dramaturgu Jean Cocteau: “Francezët janë italianë me humor të keq”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron bëri një deklaratë shumë të komentuar javën që shkoi, kur u zemërua me faktin se në sezonin e katërt dhe më të fundit të serialit, Emily u transportua në korsitë e mbuluara me kalldrëm të Romës.
Kreatorët e serialit kanë thënë se në sezonin e pestë, menaxherja e marketingut nga Chicago do të kalojë më shumë kohë në “Qytetin e Përjetshëm”, zbulim ky që s’e ka lënë shumë të lumtur presidentin Macron.
“Do të luftojmë fuqishëm” – i ka thënë Macron revistës Variety. “Dhe do t’u kërkojmë atyre që të qëndrojnë në Paris”.
“Emily in Paris është super pozitiv në terme të tërheqjes së qytetit. Është një iniciativë shumë e mirë”.
Macron këtu nuk po fliste vetëm si një lider që po promovonte Parisin, kryeqytetin e shtetit të tij, por edhe si një bashkëshort krenar.
Bashkëshortja e tij, Brigitte, u paraqit shkurt në sezonin e katërt të serialit, ku në një skenë, ajo dhe Emily takohen në një restaurant dhe tregon se e ndjek Emilyn në Instagram.
“Isha shumë krenar, dhe ajo ishte shumë e lumtur ta bëjë këtë.” – ka thënë Macron. Kur u pyet se a u ftua edhe ai që të paraqitet në serial, presidenti francez tha me shaka: “Jam shumë më pak tërheqës se Brigitte”.
Vërejtjet pozitive të presidentit francez shkaktuan një kundërshtim të shpejtë nga Italia. Roberto Gualtieri, kryetari i Romës, shkroi në “X”: “I dashur Emmanuel Macron, mos u shqetëso. Emily po ia del shumë mirë në Romë. Plus, nuk mund t’u tregoni njerëzve se çfarë të bëjnë në çështje të zemrës. Ta lejojmë atë të zgjedhë mes dy qyteteve”.
Caro @EmmanuelMacron stai tranquillo: Emily a Roma sta benissimo. E poi al cuor non si comanda: facciamo scegliere lei 😉https://t.co/n0EgAfMhrl
— Roberto Gualtieri (@gualtierieurope) October 9, 2024
Darren Star, kreatori i serive ka thënë: “Ne vazhduam me bukurinë e qytetit të Romës…Jemi shumë të emocionuar me reagimin e pabesueshëm ndaj sezonit të katërt, dhe të kthehemi për një sezon të pestë që të vazhdojmë aventurat e Emily”.
Lily Collins, aktorja që luan rolin e Emily, ka thënë se sezoni i pestë do të sillet rreth të dashurit të saj të ri, italianit Marcello, si dhe ish të dashurit nga Parisi, Gabriel.
Miliona pritet ta ndjekin edhe këtë sezonë – askush më me shumë dëshirë, ndoshta, sesa presidenti francez, Emmanuel Macron.