970×90
970×90
970×90
970×90

Pushteti e opozita vazhdojnë ‘luftën’ për ekonomi: Tash për numrin e bizneseve aktive

Pushteti e opozita vazhdojnë ‘luftën’ për ekonomi: Tash për numrin e bizneseve aktive

Po vazhdojnë debatet në distancë ndërmjet pushtetit e opozitës, për temat që ndërlidhen me ekonominë.

Pas borxheve, rritjes ekonomike, numrit të punëtorëve, ka shpërthyer debate për numrin e bizneseve aktive në Kosovë.

Ministri nën “hije” i PDK-së për Ekonomi, Arben Mustafa, ka shkruar se në vitin 2023, Kosova ka pasur mbi 13 mijë biznese më pak se në vitin 2022.

“Në vitin 2023, Kosova kishte 13,302 biznese më pak sesa në vitin 2022. Ky fakt shqetësues tregon se Kosova po bëhet çdo ditë e më pak tërheqëse për të bërë biznes. Pra, jo që nuk po arrijmë të tërheqim investime të jashtme, por nuk po arrijmë as ti mbajmë bizneset ekzistuese në Kosovë”, ka shkruar ai.

“Rënia e numrit të bizneseve është në të njëjtën linjë me rënien e vazhdueshme të investimeve të sektorit privat dhe përkeqësimin e deficitit tregtar në nivelin më të lartë që kemi pasur ndonjëherë. Kosova nuk mund të vazhdojë me këtë trend degradimi, që po reflektohet në përkeqësimin e standardit të jetesës së çdo qytetari! Koha për zhvillim ekonomik dhe jetë më të mirë në Kosovë po vije!”, theksoi Mustafa.

Një përgjigje nga ministri i Financave, Hekuran Murati, erdhi menjëherë.

Murati pretendon se sipas të dhënave të ASK-së, gjatë vitit 2023 janë shtuar mbi 9 mijë e 800 ndërmarrje të reja. Ai akuzoi opozitën se ka bërë huqjen e radhës.

“Sipas ASK-së, gjatë vitit 2023 janë shtuar 9,807 ndërmarrje të reja neto, pra 11,409 ndërmarrje të regjistruara të reja dhe 1,602 ndërmarrje të shuara. I njëjti trend ka vazhduar edhe në vitin 2024, ku për 8 muajt e parë kemi 8,021 ndërmarrje të reja të regjistruara, apo mesatarisht 1 mijë regjistrime të reja në muaj. Kjo na bën të besojmë që deri në fund të vitit do të kemi rreth 12 mijë ndërmarrje të reja të regjistruara. Kto janë faktet. Ndërsa opozita në anën tjetër bën huqjen e radhës duke pretenduar se në vitin 2023 ka pasur rënie të numrit të bizneseve”, ka shkruar Murati.

Atij iu përgjigj sërish Mustafa. Ky i fundit tha se të dhënat që i prezantoi janë nga Agjencia e Statistikave, dhe nuk janë të opozitës.

“Të dhënat për rënien e numrit të bizneseve aktive, për hiq më pak se 13,302 biznese, janë të Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK) dhe jo të opozitës. Sa për sqarim, ASK është institucion që operon nën ombrellën e Zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar Mustafa.

Pozita e opozita vazhdimisht kanë bërë debate në distance lidhur me temat ekonomike.

Më të përfshirë kanë qenë edhe deputetët e LDK-së si Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti, kurse nga PDK-ja, Arben Mustafa e Ferat Shala.

Në Vetëvendosje, ndër të vetmit që është marrë me këto debate, ka qenë hiç më pak se ministri Hekuran Murati.

Related posts