970×90
970×90
970×90
970×90

Thaçi për Le Figaro: Ia kemi detyrim fëmijëve tanë paqen

Thaçi për Le Figaro: Ia kemi detyrim fëmijëve tanë paqen

Intervista e plotë e publikuar nga “Le Figaro”:

Hashim Thaçi është President i Kosovës. Gjatë luftës kundër Serbisë ka qenë shef i krahut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila ka luftuar kundër forcave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Ai e vazhdon nga e diela në mbrëmje dialogun për paqe dhe pajtim me presidentin e ri serb, Aleksandar Vuçiq.

Le Figaro: Cila është sfida e negociatave për paqe që po rifillojnë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhjetë vite pas pavarësisë?

Thaçi: Sfida e pajtimit është që të gjendet një marrëveshje definitive, e cila është “fitues-fitues” dhe që i shërben interesit të dy vendeve dhe popujve tanë. Nuk bëhet fjalë për të gjetur një formulë magjike, por të promovohet një zgjidhje pragmatike, e cila i lejon Kosovës si dhe Serbisë që të afrohet me familjen evropiane. Nuk duhet të mbesim më peng i së kaluarës. Ia kemi detyrim fëmijëve tanë paqen dhe prosperitetin. Pse tash? Paqja do të duhej të ishte bërë më herët, por grindjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës datojnë me disa shekuj, sepse shkojnë deri tek konfrontimet ndërmjet Perandorisë Otomane dhe Perandorisë Austro-Hungareze. Rifillimi i dialogut është lehtësuar edhe nga zgjidhja e konfliktit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Por, ai do të ndihmojë, po ashtu, në përpjekjet për evropianizimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndihmuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evro pian. Andaj nuk është vetëm fillimi i fundit të konfliktit ndërmjet Serbisë e Kosovës, por po ashtu një akt kapital evropian për dy vendet tona. Kosova dhe Serbia e dinë që nuk do të pranohen asnjëherë nga BE-ja përderisa nuk i rregullojnë çështjet e kufijve. Jam i vendosur për arritjen e paqes definitive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Le Figaro: Si shkojnë gjërat me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq?

Thaçi: Nëse paqja është e mundur, kjo ndodh për shkak se ka liderë të duhur në momentin e duhur. Kauza jonë, pajtimi, është e drejtë. Njëzet vite më parë luftonin në linjat e frontit, përballë njëri-tjetrit. Sot ne jemi të aftë dhe të guximshëm të flasim për paqen dhe të ardhmen.

Dëshiroj të besoj se presidenti serb nuk është më i burgosur i historisë. Së bashku ne mund ta tejkalojmë retorikën e urrejtjes, të nacionalizmit dhe të populizmit. Popujt tanë e kanë paguar një çmim të shtrenjtë nga lufta. Rrethanat strategjike bëjnë që momenti të jetë historik. Duhet ditur të shfrytëzohen ato.

Le Figaro: Secili vend do të duhet të bëjë koncesione. Cilat do të jenë tuajat?

Thaçi: Bëhet fjalë për negociata ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura, nën mbështetjen e BE-së. Nuk bëhet fjalë për konfrontim në një ring boksi, por për t’u mirëkuptuar se fitorja, përmes kompromiseve reciproke, është e përbashkët. Do të diskutojmë andaj për temat më të ndjeshme, sikurse njohja e Kosovës, pajtimi ndërmjet komuniteteve, të pagjeturit. Procesi do të jetë i vështirë dhe i rëndë, sepse ne do të kritikohemi nga nacionalistët dhe ekstremistët në Prishtinë dhe në Beograd. Kosovarët nuk e harrojnë asnjëherë luftën e Millosheviqit dhe e di që disa serbë rrejshëm, madje edhe akademikë me zë, e konsiderojnë Kosovën si Jerusalemin e tyre. Por, duhet tejkaluar këto bllokada dhe të jemi realistë.

Le Figaro: A jeni i gatshëm të shkoni deri aty ku hiqni dorë nga disa komuna me shumicë serbe në shkëmbim të një njohje të pavarësisë suaj?

Thaçi: Ne jemi duke i dëgjuar të gjitha opinionet dhe do ta gjejmë një zgjidhje të modelit euroatlantik. E respektoj interesimin e Serbisë dhe të qytetarëve të përkatësisë serbe në Kosovë. Por, në vend të ndryshimit të kufijve, më e mira do të ishte hapja e kufijve ndërmjet shteteve tona. Sikurse në Evropë.

Le Figaro: Presidenti serb është më i fuqishëm në vendin e tij sesa që ju jeni në Kosovë. Si do t’ia bëni që t’i impononi kompromiset ndaj opozitës suaj radikale?

Thaçi: Nuk do të jetë e lehtë, por kam besim në shpirtin dhe vullnetin evropian të kosovarëve. Ata e dinë që paqja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është e paevitueshme. Dhe më e mira është ta arrijmë tash sesa më vonë.

Le Figaro: Në rast të dështimit, a do të mbetet Kosova një vrimë e zezë në Ballkan?

Thaçi: Në rast të dështimit, të gjithë do të humbnin: Serbia, Kosova, regjioni dhe Bashkimi Evropian. Status quo-ja është e rrezikshme, sepse në Beograd, sikurse në Prishtinë, disa kanë interes që t’i ushqejnë tensionet. Zbrazëtia do të mbushej nga kundërshtarët tanë. E në Ballkan zjarri mund të ndizet lehtë. Në rast të dështimit, gjakderdhje të reja mund të ndodhin. Nëse dy vendet tona devijojnë nga prosperiteti ekonomik dhe demokracia, BE-ja do ta paguante po ashtu çmimin.

Le Figaro: Ju flisni për hapjen e kufijve dhe për pajtimin në momentin kur BE-ja kërcënohet nga thyerja dhe e pyet veten lidhur me mundësinë që t’i mbyll kufijtë. A nuk po shkoni kundër rrjedhës?

Thaçi: Jo, sepse përderisa e shoh rritjen e populizmit, e shoh po ashtu disiplinën e shteteve që bëjnë çdo gjë për t’i ruajtur vlerat dhe shpirtin evropian. Në demokraci duhet ditur të pranohen këto debate. Mendoj se dëshira e pakufi e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në Evropë është më e madhe sesa dëshira e atyre që dëshirojnë të largohen nga Bashkimi. Mendoj, po ashtu, se vlerat evropiane janë më të fuqishme sesa populizmat politike. Këto të fundit mund të vijnë e shkojnë, por shpirti evropian, ai, do të mbetet. Shpresoj, sido që të jetë, që ne do ta marrim liberalizimin e vizave këtë vit.

 Le Figaro: A jeni të vetëdijshëm që Kosova e ka një reputacion të keq në Francë? Dhe që ju vetë, për shkak të së kaluarës me UÇK-në, nuk krijoni unanimitet?

Thaçi: Liria dhe pavarësia e Kosovës kanë pasur gjithmonë kundërshtarë të rreptë. Por, ne e kemi dëshmuar deri në çfarë mase jemi të dedikuar për të drejtën e kësaj kauze. Përgjatë njëzet viteve që jam në rrethin udhëheqës, kam qenë gjithmonë i kritikuar. Nganjëherë këto kritika ishin të justifikuara, nganjëherë fajësimet ishin të sajuara. Propaganda serbe gjithmonë i akuzon fqinjët si shtete të dështuara. Kundërshtarët e mi serbë nuk më falin për rolin që e kam luajtur në Kosovë për liri e pavarësi, ndonëse pavarësia nuk ka qenë e vendosur nga një individ, por nga vullneti i një populli. E vërej, për më tepër, që Franca e ka shoqëruar tranzicionin dhe pavarësinë e Kosovës. Gjithë çfarë kemi bërë ka qenë në partneritet me komunitetin ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara. Për këtë, historia e Kosovës është histori suksesi. Për t’u bindur mjafton t’i shohi m Afganistanin, Irakun dhe Libinë. Përkundër bombardimeve dhe luftës, ne e kemi instaluar paqen dhe demokracinë.

Le Figaro: A i frikësoheni Gjykatës Speciale kosovare që do ta ketë bazën në Hagë?

Thaçi: Absolutisht jo. Nuk kam asnjë arsye. Madje kam punuar me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara mbi këtë çështje. Mendoj, përkundrazi, se duhet qenë transparent, ta konsiderojmë si një avantazh dhe një mënyrë për t’u çliruar nga kjo sajesë. Luftëtarët e UÇK-së kanë qenë vullnetarë lirie. A do të thotë kjo që të gjithë ata ishin sjellë si engjëj? Lufta e tyre ishte e drejtë. Askush nuk do të mund ta rishkruaj historinë.

Related posts