970×90
970×90
970×90
970×90

Komuna e Prishtinës ndan 174 mijë euro për Sunny Hill Festival

Komuna e Prishtinës ndan 174 mijë euro për Sunny Hill Festival

Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga kryetari Përparim Rama, ka përgatitur një buxhet prej 100 mijë eurosh për të mbështetur organizimin e Sunny Hill Festival, shkruan Demokracia.com.

Rama u shfaq në një fotografi bashkë me Dukagjin Lipën, vetëm pak ditë para mbajtjes së festivalit.

“Organizimi i festivalit Sunny Hill: Bashkëfinancim – me negocim“, është titulli i kontratës që Komuna e Prishtinës ka lidhur me “The Sunny Hill” SH.P.K., në pronësi të Dukagjin Lipës. Vlera e kontratës është 174,900 euro. Sipas të dhënave të ARBK-së, kompania ofron aktivitete mbështetëse për shfaqje artistike.

Demokracia.com ka shikuar paramasat e këtij tenderi se çfarë shërbimesh përfshihen në pagesën e komunës së Përparim Ramës, por dokumenti për shpalljen e fituesit nuk përmban asnjë informacion specifik. Dokumenti është ngarkuar dje në e-prokurim në orën 16:05, ndërsa njoftimi i plotë për këtë aktivitet është bërë sot.

Dyshime për mashtrim

Po sot, Komuna e Prishtinës ka ngarkuar një dokument tjetër me titull “njoftim për anulimin e aktivitetit të prokurimit” për “Organizimin e festivalit Sunny Hill: Bashkëfinancim – me negocim”. Aty shkruhet se aktiviteti i prokurimit është anuluar dje pasi nuk ka pasur asnjë ofertues, ndonëse procedura është me negocim. Por, njoftimi për anulim është bërë sot. Dyshimet janë se komuna ka manipuluar në këtë rast, pasi ka shumë kompani në Kosovë që ofrojnë shërbime të organizimeve artistike, si p.sh. “AMC”, me të cilën komuna ka kontratë dhe ka mundur t’i përdorë shërbimet e saj. Aktiviteti i prokurimit ka nisur më 22 korrik dhe pasi ‘nuk ka pasur’ ofertues, komuna ka lidhur kontratë drejtpërdrejt me “The Sunny Hill SH.P.K.”.

Kontrata me negocim nënkupton që autoriteti kontraktues fton vetë kompanitë në negocim për një shërbim, siç është rasti në fjalë. Ajo që bie në sy është se për këtë tender komuna kishte parashikuar 100 mijë euro, ndërsa kontrata është lidhur për 174 mijë euro.

Sunny Hill Festival do të mbahet në Bërnicë të Prishtinës nga data 25 deri më 28 korrik. Megjithë ndihmën e komunës, biletat për këtë festival janë të larta dhe të ardhurat do të shkojnë në adresën e Lipës. Një biletë e rregullt kushton 200 euro, për grupe me 3 veta 180 euro dhe për grupe me 5 veta 160 euro.

Organizatori i festivalit Sunny Hill, Dukagjin Lipa, tha se ende nuk kanë filluar të fitojnë nga ky festival. Megjithatë, ai theksoi se qëllimi nuk ka qenë asnjëherë komercializimi i festivalit, por shërbimi ndaj fondacionit, ku çdo cent i fituar prej festivalit i është zotuar fondacionit me një minimum prej 250 mijë eurosh në vit, të cilat ende i japin prej biznesit të tyre.

Ngjarjet rreth Sunny Hill Festival kanë vënë në pah disa çështje rreth menaxhimit të fondeve publike dhe procesit të prokurimit në Komunën e Prishtinës. Ndërsa festivali mbetet një ngjarje e rëndësishme kulturore për qytetin, mënyra sesi janë trajtuar procedurat dhe fondet publike ngrisin shqetësime të mëdha. Ndihma financiare e komunës së bashku me çmimet e larta të biletave, shtojnë më tej dyshimet për drejtësinë dhe transparencën e këtyre veprimeve.

Related posts