Gjatë ditës së sotme rreth orës 10:30 janë djegur katër vetura, dy tërësisht dhe dy të tjera pjesërisht në lagjen “Marigona Residence”, në fshatin Preoce.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk ka persona të lënduar.
Sipas saj, aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
“Rreth orës 10:30, është pranuar informata për një zjarr në një lagje në fshatin Preoce.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit.
Informacionet e para nga vendi i ngjarjes tregojnë për dy vetura të përfshira tërësisht nga zjarri përderisa dy të tjera pjesërisht, ndërkaq nuk raportohet për të lënduar”, ka thënë Ahmeti.