970×90
970×90
970×90
970×90

Përparim Rama: Bojkoti i Vetëvendosjes dhe PDK-së është në dëm të qytetarëve

Përparim Rama: Bojkoti i Vetëvendosjes dhe PDK-së është në dëm të qytetarëve

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama tha se bojkoti i dy partive opozitare, VV dhe PDK është në dëm të qytetarëve të Prishtinës.

“VV dhe PDK u bënë bashkë për të bllokuar vënien në diskutim publik të Planit Zhvillimor të Prishtinës, i cili është dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e Kryeqytetit për periudhën 2024 – 2032.  Ky bojkot nga VV dhe PDK, është në dëm të qytetarëve të Prishtinës sepse ua pamundëson të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese për kontribut në këtë dokument të rëndësishëm”- ka shkruar Rama në Facebook.

Kryetari Rama ka falënderuar përfaqësuesit e LDK-së, AAK-së, AKR-së, Nismës dhe Lëvizjës për Bashkim të cilat qëndruan në sallë.

“Me këtë rast, i falënderoj përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Aleancës Kosova e Re, NISMA dhe Lëvizja për Bashkim për përkrahjen e vazhdueshme në zhvillim të Kryeqytetit”, ka shkruar Rama.

Gjatë ditës, Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka përsëritur qëndrimin se janë kundër Planit Zhvillimor të Komunës së Prishtinës.

Në një konferencë për media, Sveçla e ka quajtur kryetarin e Komunës, Përparim Rama, si ‘turpi i qytetit’.

“Ky plan ka shumë të meta përmbajtjesore. Për pak muaj do të hyjmë në vitin e fundit te mandatit të Ramës. Një person që në praktikë e ka dëshmuar që nuk ua do të mirën qytetarëve. Kjo qeverisje e ka pasur kohën e mjaftueshme për ta bërë një plan të mirëfilltë, por është dashur te merret me kontrata të paligjshme. Ministria e ka kundërshtuar një plan të tillë. Duhet t’ia bëjmë me dije LDK-së që jo çdo gjë blihet me pare, sepse ka parime dhe qëndrime në funksion të qytetarëve. Qytetarët nuk ia kanë borxh një plan kundërligjor”, ka thënë ai.

Ndërkohë asamblistja e VV-së, Nora Kelmendi, ka theksuar se plani që kanë marrë është i mangët si dokumentacion.

“Plani i dërguar te ne është i mangët si dokumentacion, pra mungon analiza dhe krahasimi. Draftraporti i planifikimit strategjik është i vitit 2021. Kjo na fyen sepse kryetari po na sjell plane të vjetra. Pjesëmarrja në takime me qytetarët ka qenë minimale. Më shumë ka pasur kabinet të kryetarit sesa qytetarë. Këtë plan, iu bëjmë thirrje subjekteve të tjera të mos e mbështesin, mos lejoni të përsëritet Badovci. Ky kryetar është turpi i qytetit”, ka thënë ajo.

Plani Zhvillimor Komunal ishte në rend dite për t’u votuar në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës

Related posts