Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë më 1 korrik përcillet sot në banesën e fundit.
Ditën e sotme në nder të shkrimtarit të madh do të mbahen hiomazhe në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Homazhet publike do të mbahen në orën 09:00 në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Ndërsa në orën 11:30 do të mbahet ceremonia shtetërore e Lamtumirës. Në orën 12:30 kortezhi do të niset në drejtim të varrezave të Tufinës.
Në nder të shkrimtarit, Shqipëria shpalli 2 dhe 3 korrikun ditë zie, ndërsa Kosova shpalli 3 korrikun ditë zie. Në të dy vendet flamujt janë ulur në gjysmë shtize.
Në ceremoninë shtetërore që do të organizohet nga Kryeministria do të marrin pjesë krerët më të lartë të vendit, kryeministri Edi Rama me bashkëshorten, Presidenti Begaj me bashkëshorten, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, po ashtu edhe ministra, drejtues institucionesh të larta, personalitete të kulturës dhe artit si dhe diplomatëve të akredituar.
Në ceremoni do të marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeparlamentari Glauk Konjufca e disa deputetë.
Shkrimtari Kadare u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm në moshën 88-vjeçare.
Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).
Kandidati për Nobel në Letërsi, njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ai shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
Kadare nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin «Princesa de Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.