Disa ekspertë dhe analistë të televizionit amerikan, CNN, e kanë vlerësuar negativisht paraqitjen e presidentit Joe Biden në debatin e mbrëmshëm përballë rivalit republikan, Donald Trump.
Kryekorrespondenti veteran për lajme vendore në CNN, John King, tha: “Ky ishte një debat që e ndryshon lojën në kuptimin që, tash për tash, përderisa po flasim, është një panik i thellë, i gjerë dhe shumë agresiv në Partinë Demokratike” – raporton televizioni BBC.
“Ai [paniku] nisi [disa] minuta pas fillimit të debatit dhe vazhdon edhe mu tani. I përfshin strategët e partisë, i përfshin zyrtarët zgjedhorë, i përfshin grumbulluesit e fondeve, dhe ata po bëjnë biseda për performancën e presidentit, për të cilën mendojnë se ishte e mjerë” – shtoi Kingu.
“Disa prej atyre bisedave e përfshijnë [pyetjen] “A duhet të shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe të kërkojmë nga presidenti që të tërhiqet?” Bisedat e tjera janë për [pyetjet] “A duhet që demokratë të njohur të dalin publikisht me atë thirrje, sepse atyre u duket se ky debat ishte shumë i tmerrshëm” – tha më tej gazetari veteran.
Ai thotë se karakteri i bisedave të demokratëve ishte nga “O Zoti im, o Zotim im, o Zotim im” te “Çfarë të bëjmë për këtë?”
Komentuesi i lartë politik në CNN, David Axelrod, tha se Bideni e mposhti Trumpin në thelb, por pranoi: “Do të ketë diskutime për atë nëse ai [Bideni] duhet të vazhdojë.”
Një analist tjetër, Van Jones, tha: “Kjo ishte e dhimbshme.”
Fyerjet
Bideni dhe Trumpi e cilësuan njëri-tjetrin si presidentin më të keq në histori të ShBA-së. Bideni e quajti Trumpin “humbës” dhe “ankues”, ndërsa Trumpi e quajti Bidenin “humbës”. Ata nuk i shtrënguan duart as para, as pas debatit.
Në një moment, u grindën edhe për lojërat e golfit. Trumpi u mburr se e kishte gjuajtur topin më larg se Bideni, ndërsa presidenti u kundërpërgjigj, duke thënë se republikani do të kishte vështirësi për ta bartur çantën e vet të golfit.
Për ta lexuar përbledhjen më të zgjeruar rreth diskutimeve në debatin e së enjtes mbrëma mes dy rivalëve për Shtëpinë e Bardhë,