Kosova sot shënon Ditën e Çlirimit, një ditë e cila përkujton fundin e një periudhe të errët dhe fillimin e një epoke të re.
Kjo ditë shënon hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, pas një fushate ajrore 78-ditëshe që çoi në tërheqjen e forcave serbe dhe përfundimin e spastrimit etnik dhe konfliktit të përgjakshëm.
E këtë ditë e ka kujtuar edhe njëri prej ushtarëve të KFOR-it që kishte shërbyer atë kohë në Kosovë, Kenneth Andresen.
Andresen në një postim në “X” ka kujtuar pritjen që i ishte bërë KFOR-it më 12 qershor 1999 nga mijëra njerëz përgjatë rrugëve.
Ai shtoi se ky moment i ka ndryshuar jetën .
“Sot, 25 vjet më parë: Më 12 qershor 1999, KFOR-i mbërriti në Kosovë dhe u prit nga mijëra njerëz përgjatë rrugëve. Unë shërbeva si oficer shtypi me KFOR-in nga korriku 1999 deri në janar 2000. Kjo ndryshoi jetën time. Jam mirënjohës për të gjithë miqtë dhe kolegët në/nga Kosova!”, ka shkruar Andresen.