Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktvendimit të 29 prillit 2024, ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës të ushtruara nga mbrojtja e të akuzuarve Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Jesmir Badallaj dhe Roland Susuri, duke konfirmuar kështu aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj tyre.
Në këtë rast, Kobra dhe të tjerët akuzohen për rastin e vrasjes së V.C më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.
“REFUZOHEN kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës… të paraqitura nga av. Florent Latifaj mbrojtës i të pandehurit Dibran Hoxha, av.Jeton Rekathati, mbrojtës i të pandehurit Jesmir Badallaj, av.Sahadete Gashi, mbrojtëse e të pandehurit Roland Susuri, si të pabazuara”, “Në këtë çështje penale do të vazhdohet me procedim sipas kësaj aktakuze pasi që ky Aktvendim të bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në aktvendim.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave janë të pabazuara, pasi që në rastin konkret provat mbi të cilat mbështetet aktakuza janë të pranueshme dhe ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë që kërkohet në këtë fazë të procedurës.
Në këtë vendim, thuhet se gjykata ka konsideruar si të pabazuar pretendimin e mbrojtjes se provat janë marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi që nuk kanë qenë prezent gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
Sipas gjykatës, një procedim i tillë i rastit nga ana e Prokurorisë është bërë duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe se gjatë gjithë kohës hetimi ka qenë nën mbikëqyrjen e gjykatëses së procedurës paraprake dhe se i tillë hetimi është i ligjshëm.