Sot nis regjistrimi i popullsisë së Kosovës. Këtë lajm e ka bërë të ditur që një kohë të gjatë Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila është institucioni përgjegjës për mbarëvajtjen e regjistrimit të popullsisë. Çka duhet të dini?
Së pari, ky është regjistrimi i dytë pas pavarësisë së Kosovës. Regjistrimi i fundit kishte ndodhur në vitin 2011 dhe zyrtarisht Kosova kishte pak mbi 1 milionë e 700 mijë persona.
Së dyti, regjistrimi vazhdon deri më 17 maj, që është dita e fundit kur qytetarët do të regjistrohen.
Së treti, pjesëmarrja në regjistrimin e popullsisë kërkohet me ligj, ndërsa refuzimi për të marrë pjesë mund të penalizohet në shumën nga 30 deri në 2 mijë euro për person.
Por pse ndodh ky proces i regjistrimit?
Sipas ASK-së, regjistrimi do të ndihmojë për të kuptuar ndryshimet demografike, por edhe formësimin e të ardhmes rreth poliitkave publike.
“Regjistrimi ndihmon në kuptimin e ndryshimeve demografike, planifikimin e shërbimeve publike si: shkollat dhe spitalet, ofrimin e shërbimeve të ndryshme nga komunat, transportin, ndarjet buxhetore, ndarjen dhe kufizimet e personelit shtetëror në një zonë ose komunë, si dhe për planifikimet në të ardhmen. Është thelbësore për formësimin e së ardhmes së komuniteteve dhe kombit. Një Regjistrim i saktë siguron përfaqësim dhe shpërndarje të drejtë të fondeve qeveritare.” – thuhet në një njoftim të ASK-së, transmeton Nacionale.
Intervista e regjistrimi të popullsisë duhet të zhvillohet në objektin e banimit ose në afërsi të banesës apo shtëpisë së qytetarit, i cili është respodent.
Në këtë proces, është paraparë të regjistrohen edhe diaspora.
“Për popullsinë që kanë lindur në Kosovë ose kanë prejardhje nga Kosova, por që jetojnë jashtë Kosovës për më shumë se 12 muaj (ka një vendbanim-shtetet tjetër rezident) ata regjistrohen përmes një aplikacioni online (ëëë.ediaspora.rks-gov.net) gjatë gjithë periudhës së Regjistrimit.” – thuhet në njoftimin e ASK-së.
Sjellim ndër mend që ASK-ja kishte organizuar edhe një lojë shpërblyese për qytetarët. Në një konferencë për medie javë më parë, ASK-ja kishte prezantuar në detaje planin për regjistrimin e popullsisë, duke theksuar se cilido qytetar që ia qëllon se sa do të dalë në fund numri i popullësisë në Kosovë, do të fitojë një çmim prej 10.000 euro.
“Është një lojë shpërbylyese, ai që e di se sa ka me dalë popullësia në Kosovë, do të fitojë një çmim prej 10.000 euro. Por nav yen saktësia sa, rrethi pikado, kush e qëllon shpërblimi do të jetë deri në 10 mijë euro”, tha Avni Kastrati, menaxher i Regjistrimit të Popullësisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK)