Pavarësisht paralajmërimeve të udhëheqësve të institucioneve kryesore në Kosovë, se sivjet pritet të ketë liberalizim të vizave, kështu nuk mendon shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi.
Madje, sipas tij, politikanët nuk bëjnë mirë të vazhdojnë të premtojnë liberalizim vizash, së paku për sivjet.
“Nuk ka vendim pozitiv për sivjet; për mundësitë e vitit 2019 pritet të diskutohet në fund të këtij viti”, ka shkruar Surroi në një postim në Facebook.
“Ky është verdikti i cili po përgatitet të thuhet në Bruksel në fund të këtij muaji”, ka shkruar tutje Surroi.
Ndryshe, në Qeverinë e Kosovës, por edhe në instancat tjera shtetërore, besojnë fuqishëm se nga fundi i këtij viti qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm dhe pa viza në zonën Schengen.
Sipas zyrtarëve në Prishtinë, Kosova ka kryer pjesën e vet të përmbushjes së kritereve dhe se tani ‘topi ka mbetur në fushën e Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare’ që të marrin vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, ditë më parë ka thënë se pritjet janë reale dhe sipas saj, për këtë optimizëm është punuar shumë.
“Optimizmin e bazojmë në punën që është bërë sepse me të vërtetë kemi bërë një punë të madhe, por gjithashtu [optimizmi ] bazohet në kontaktet tonë në deklaratat e zyrtareve të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Para disa ditës ditësh e patë në Kosovë raportuesin e Kosovës në Parlamentin Evropian zotin Soltes i cili edhe vet deklaroi se është optimist se liberalizimi do të ndodh deri në fund të vitit”, ka thënë Hoxha për mediat vendase.