Është folur shumë për tri letra me të cilat thuhet se Ramiz Lladrovci shantazhon presidenetin e Kosovës.
Por e vërteta e tyre pritet të dalë në shesh.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet rreth këtyre supozimeve.
Në një përgjigje për FRONTAL, prokurori Sylë Hoxha ka thënë se tani më janë duke u marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët për këtë rast, e janë duke u mbledhur ende prova.
Përveç konfirmimit që bëri deputeti Milaim Zeka, të njëjtën e thanë edhe ata të cilët përmenden në letër.
Deputetët Rexhep Selimi e Haxhi Shala, të kontaktuar nga FRONTAL thanë se janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve, edhe pse deklarohen se krejt ky proces ka ngritur huti edhe te vetë ta, duke thënë se nuk e dinë as pse janë thirrur për të dëshmuar.
Ndërkohë, Lladrovci nuk ka pranuar të flasë për këtë temë.
Beteja në mes të Zekës e Lladrovcit ka kohë që ka filluar.
E nga përmbajtja e tyre u tha se Lladrovci fitoi nga Thaçi edhe postet që kishte në parti, nga ambasadori e te kryetari i komunës.
Duke kaluar edhe në ofendime në mes të dy palëve, tashmë, ata kanë paditur njëri-tjetrin për shpifje e fyerje.
Në letrën e parë, Lladrovci i drejtohet Thaçit se disa shokë dhe ish-shokë të tij po synojnë denigrimin e figurës së tij.
Në letër, emri i ish-ushtarit të UCK-së, Beadin Allaqit është i fshirë me të zezë, e aty thuhet në bazë të ish-bashkëpunëtorëve të tij, se Lladrovci po bashkëpunon me shërbime të huaja për të denoncuar Thaçin në përfshirjen në vepra penale, siç është vrasja e Allaqit.
Në letrën e dërguar më 13 gusht të atij viti, kërkoheshin edhe sqarime se pse Lladrovci ndodhej për të dytën herë në listën e zezë të presidentit amerikan.
E heshtja e Thacit karshi këtyre arsyetimeve, kishte bërë që Ramiz Lladrovci të dërgonte edhe dy tjera me të cilat kërkonte takim me të, e në herën e tretë kishte dërguar edhe ndërmjetësues, Jakup Krasniqin.