Pilotit, prej kur i pamë dritat e Moskës, ju deshtën rreth një orë për ta zbritur aeroplanin në tokë. Ai i bënte ca harqe të gjëra mbi qiellin e Moskës, sikur për të na treguar madhështinë e qytetit që për një muaj do të konsiderohet kryeqytet i sportit botëror.
Prej kur fluturoj, nuk më ka ndodhur që aeroplani të hedhë një valle të gjatë dhe të avashtë mbi qiellin pa re dhe pa erë të një kryeqyteti, sikur që më ndodhi të premtën mbrëma kur po zbritnim mbi Moskë.
Rruga prej Vjenës deri në Kryeqytetin e Rusisë është rreth tri orë e gjatë, ndoshta pak më e shkurtër se ajo Prishtinë – Londër, mirëpo episodi i zbritjes dukej sikur po vinim nga një udhëtim i gjatë. Po zbritnim në mënyrë ceremoniale dhe solemne.
Moskën, që gjatë gjithë historisë ka qënë kryeqytet i shumë shteteve dhe perandorive të mëdha dhe të lavdishme, e pamë nga aeroplani saktësisht pas dy orësh prej nisjes nga një kryeqtet tjetër, po aq i lavdshëm, madje rival historik i saj, ai i Austrisë, Vjena.
Në këto dy qendra, ambiciet politike të perandorëve kanë qënë cdo gjë tjetër përvec modeste. Perandorët, carët, synim politik, dhe ushtarak, e kanë pasur që kur të lindë dielli në një cep të perandorisë së tyre, në skajin tjetër ai të këtë perënduar. Këtë synim Rusia e ka realizuar. Kur në Shën Petersburg është bërë nata, në Vladivostok dielli ka lindur.
Pilotit, prej kur i pamë dritat e Moskës, ju deshtën rreth një orë për ta zbritur aeroplanin në tokë. Ai i bënte ca harqe të gjëra mbi qiellin e Moskës, sikur për të na treguar madhështinë e qytetit që për një muaj do të konsiderohet kryeqytet i sportit botëror.
Moska, dhe e gjithë e Rusia, janë të rrafshta, aterimet kurrë nuk do të duhej të paraqitnin ndonjë problem, mirëpo piloti ynë u kujdes që avionin ta përplaste për piste. A ndoshta edhe ky ishte një mesazh i koduar rus? Nuk e besoj. Më shumë them që ishte një joprofesionalizëm i pilotit.
Jeta është mjaft e gjatë, edhe për të mirë edhe për të keq. Besoj që fati, statistikat, dikush thotë Zoti, për secilin prej nesh rezervojnë mjaft befasi, të cilat në asnjë mënyrë nuk do të ishte e preferueshme që t’i dinim paraprakisht – të hidhura ose të ëmbla.
Udhëtimi që po e bëj këto ditë në Rusi, duke e pasë si pretekst Kampionatin Botëror, padyshim që është njëra prej këtyre befasive interesante. Nuk e kam menduar që ndonjëherë do të vija në Moskë. Posaçërisht jo si qytetar i lirë.
Moska, pra Rusia, kanë qënë për ne, e edhe për mua, ana tjetër e rrëfimit tonë. Ana e errët. E keqja.
Në këto 100 vite, për ne si shoqëri shqiptare, e edhe si individë, Perëndimi me kryeqytet Washingtonin e ka personifikuar lirinë dhe demokracinë, kurse Lindja me kryeqytet Moskën robërinë, me të gjitha derivatet që dalin prej saj. Dhe ky perceptim nuk është aspak i gabuar. Vazhdimisht, prej momentit kur fillon të dobësohet Perandoria Osmane, e deri në Konferencën e Rambujesë, e deri në ditët e sotshme, Rusia, më herët ajo cariste, e më vonë BRSS, e tash kjo e Putinit, kanë qënë kundër nesh. Këtu nuk ka asnjë sekret. Pra, të zbresësh në Moskë, duke i pasur në mendje të gjithë këta, është mjaft mbresëlënëse. Befasisht, ajo për të cilën ti je atje, bie në plan të dytë.
Kujtimet e para të miat si fëmijë nisin që nga fillimi i viteve të 80’ta. E pabesueshme, por ia që kujtimet e mia të para janë kujtime politike. Edhe nëse nuk kanë qënë të pastra politike, dikush brenda familjes, konkretisht baba, i ka politizuar ato. E kjo ka ndodhur në sport, në muzikë, në film dhe cdo kund tjetër. Nëse rraheshin dy boksierë në lojëra olimpike, nëse luanin dy ekipe basketboll, nëse vraponin disa atletë në ndonjë olimpiadë, ndarja e parë e madhe ishte: ne ishim kundër rusëve, pro amerikanëve.
Cili është rusi?, duhet të kam pyetur unë qindra herë.
“Ky që e ka kapucin me ngjyrat e flamurit të Rusisë”, ose “Ky që i ka dresat me flamurin e Rusisë”, ishte përgjigja. Shumë mirë. Dihej pastaj për kënd ishim.
Cfarë fëmije i pafat.
Për shembull kam qënë më pak se 10 vjecar kur unë e kam ditur kush është Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit Sovjetik, shtet ky që kontrollohej nga rusët – Mikhail Gorbachev.
Ka mundësi që e kam ditur edhe kush ka qënë ministër i jashtëm i këtij shteti. Tash kur po shkruaj jam në tren në linjën Moskë – Nizhny Novogorod, nuk kam qasje në internet, prandaj po them me hamendje që duhet të këtë qënë Eduard Shevernaxe, politikan ky që pas rrënimit të BRSS’së e udhëhoqi njërën prej shteteve që dolën nga BRSS. Edhe nëse e kam gabim këtë nuk do ta përmirësoj. Këtë po e bëj për ta nënvizuar se sa fuqishëm kemi qënë të involvuar në politika globale.
Ka mundësi që kemi menduar që edhe problemet botërore, sikur kjo Perëndimi me SHBA’në dhe Lindja me BRSS’në zanafillën e kanë saktësisht në Kosovë. Që këto superfuqi po luftojnë me njëra tjetrën, se cila prej tyre do ta kontrollojë Kosovën. Për të ardhur në këto konstatime na ndihmonin edhe disa ngjarje të rëndësishme historike që zanafillën e kanë në rajonin tonë, sic është fillimi i Luftës së Parë Botërore, ose Beteja e Kosovës.
Ne mendonim që ishim qëndra e botës, e lakmuar për t’u kontrolluar nga secila supërfuqi. Mendonim, përvec tjerash, që kjo lakmi ishte e motivuar edhe nga pasuritë e mëdha nëntokësore që ishin nën këmbët tona. Kanë kaluar pothuajse 20 vjet nga clirimi, e këto pasuri edhe më tutje nuk arritëm t’i shohim. Po vazhdojmë të mbijetojmë nga tregtia dhe remitencat e diasporës.
Këto ishin mendimet, këto ishim edhe kujtimet, që po më silleshin nëpër kokë, sikur avioni që po i sillej Moskës, pak përpara se të preknim tokën ruse. Për shkak që jemi ndikuar kaq shumë nga anglishtja, kudo që kemi trokitur e kudo që kemi shkuar, gjëja e parë që të bën përshtypje kur ta takosh rusin e parë është që tash gjuha angleze nuk është aq e rëndësishme. Instiktivisht provon të gjësh gjurmë angleze në shenjat e ndryshme, në rrugë a në aeroport, për ta kuptuar se ku është dalja a ku është hyrja, por më kot. E ti prapë, sikur ndonjë mi në ndonjë eksperiment në laborator, të cilit i është mbyllur një vrimë ku ai ishte mësuar që të dilte, e kërkon gjuhën angleze. Pastaj kujtohesh që je në Rusi. Pastaj prapë harron dhe kërkon gjuhë angleze, por nuk e gjën. E gjën por më shumë vështirësi dhe me shumë ngurrim.
Në Rusi jam bashkë me Leonardin (Kërqukin). Ai është me pasaportë të Malit të Zi, kurse unë me pasaportë të Shqipërisë. Në kushte të tjera për ata që kanë pasaportë të Shqipërisë nevojitet viza, mirëpo për shkak të kampionatit botëror të futbollit procedurat janë thjeshtëzur. Jemi pajisuar me të ashtuquajtura FAN ID, duke aplikuar online. Kjo FAN ID shërben edhe si vizë, por edhe si dokument që të ofron lehtësi kur udhëton me transport publik – duke mos paguar biletë. E drejta për t’u pajisur me këtë ID u takon të gjithë atyre që kanë blerë biletë për ndeshje në stadium. Ne i kemi dy ndeshje: Argjentinë – Kroaci dhe Zvicër – Serbi.
Gjithashtu, këto ID na ndihmuan që policët në aeroport të na orientonin në një linjë më të shpejtë të kontrollit të pasaportave. Gjëja e parë që të shkon në mendje kur e sheh një polic rus, është një polic i viteve të 90’ta në Kosovë. Në një moment isha gati të thosha “shiko se si po i imitojnë policët e viteve të 90’ta”. Në fakt, duhet të jetë e kundërta, ata të viteve të 90’ta i paskan imituar këta.
Polici rus është korpulent, është serioz, është pasiv nervoz. Në asnjë moment nuk ta jep mundësinë për t’u liruar me të. Cdo përpjekje për ta relaksuar situatën është e gjykuar të dështojë. Polici punën e tij, ti punën tënde. Ai kërkon që ti ta hapësh cantën, ti vetëm duhet ta hapësh atë.
Kjo ishte situata edhe në kabinën e kontrollit të pasaportave, të cilën gjë po e bënte një grua. Asaj, kur e shikoi pasaportën e Shqipërisë, rastësisht i rrëshqiti një buzëqeshje, duke më pyetur dicka në rusisht. Provova të përfitoja nga një situatë e shtensionuar, mirëpo zonja polici e riktheu shumë shpejt seriozitetin e duhur.
“A jam shqiptari i parë që po futem sot”, i thash unë, në anglisht, pasiqë ajo fillimisht kishte qeshur. M’u përgjigj rusisht, duke më thënë që nuk po më kuptonte. Edhe unë u tërhoqa nga tentativa për t’u dukur argëtues.
(Vijon: Brenda në Rusi)