Edhe pse kontrata ka qenë “llamsam” (me qelësa në dorë) dhe me këtë lloj kontrate nuk lejohen punët shtesë, pa asnjë procedurë të prokurimit Bechtel Enka-s i janë paguar edhe 44 milion euro shtesë”, ka shkruar Durmishi.
Gjykata Themelore e Prishtinës, ka shpallur dje aktgjykim dënues ndaj deputetit të AAK-së, Pal Lekaj dhe tre të tjerëve në rastin e njohur si “53 milionëshi”.
Gjykata e dënoi me tri vite e tetë muaj burgim deputetin e AAK-së, Pal Lekaj.
Ai është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të shtetit.
Ish-ministri Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim, ish-këshilltari i tij politik, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim, derisa ish-Sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrin dhe ish-drejtorin e prokurimit publik, Besim Tahiri, Gjykata i dënoi me nga 1 vit e 8 muaj secilin.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.