Banesa e Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Valdrin Krasniqi ishte cak i hajnave të enjten mbrëma në kryeqytet. Rastin në Polici e ka raportuar vetë Prokurori i Shtetit, Valdrin Krasniqi, dhe gati një ditë pas ngjarjes ka folur rekskluzivisht për gazetën online Reporteri.net.
Prokurori Valdrin Krasniqi la të kuptohet se ai dhe familja e tij ndodheshin në banesën e tyre në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Prishtinë, në kohen kur hajnat, ende të paidentifikuar nga Policia, kryen vjedhin në pronën e tij në kryeqytet.
Ka dyshimet e tij se gjithçka ka mundur të ndodhë në mes orës 17:30 deri rreth orës 21:00 të së enjtes, pasi ishte kthyer në banesë dhe i kishte marrë fëmijët e tij nga kopshti. Kjo pasi, Krasniqi në bisedën për gazetën online Reporteri.net tha se ai për vjedhjen në banesën e tij e kishte kuptuar tek kur rreth orës 21:00 kishte qenë duke dalë serish nga banesa për “nevoja personale”.
Aty, rrëfeu prokurori i shtetit, pa se po i mungonin çelësat, kuleta personale me dokumentet personale (letërnjoftimi e patentëshoferi), si dhe ID-ja e prokurorit dhe kartela e bankës.
“Kam hy në banesë rreth orës 17:30, pasi i kam marr fëmijët nga kopshti, dhe dyshoj se prej qasaj periudhe, prej 17:30 deri rreth orës 9 [21:00] kur kam dashtë me dal prej banese për me i kry do nevoja të mija e me i ble disa gjëra, qaty e kam vërejt që po më mungojnë çelësat e banesës, dhe kuleta ime personale me dokumente personale, letërnjoftimi, patentëshoferi, ID-ja e prokurorit dhe kartela e bankës”.
Krasniqi, gazetën online Reporteri.net tha se vjedhja nuk dyshon të ketë të bëjë me punën e tij si Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Madje, disi tregohet i bindur për këtë. Përmened edhe fakti se është “prokuror i ri”.
“Absolut jo. Unë jam një prokuror i ri që jam caktu nga marsi i vitit të kaluar, kështu që nuk kam asnjë dyshim. Kam kontaktu me policinë që kanë dalë në vendin e ngjarjes edhe thjesht ata janë duke i marrë veprimet e tyre”, tha ai të premten, në një bisedë telefonike me gazetën online Reporteri.net.
“Nuk kam dyshim në askënd. S’besoj që ka të bëjë me punën time si Prokuruar”, insiston Krasniqi.
“Ka mujt me ndodhë vjedhje e zakonshme, nëse muj me quajt kështu. Përndryshe jo nuk kam asnjë dyshim në askënd”, shtoi ai.
Rasti edhe në Policia u bë e ditur se po trajtohet thjesht si “vjedhje”.
“VJEDHJE – Rr. Bardhyl Qaushi, Prishtinë 25.01.2024 – 17:30-21:00. Ankuesi mashkull kosovar (prokuror i shtetit) ka njoftuar policinë se nga persona të panjohur në korridorin brenda banesës së tij i është vjedhur portofoli me dokumente personale dhe dy palë çelësa të banesës. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti në hetime”, thuhet në raport.
Para se të behej Prokuror i Shtetit, Valdrin Krasniqi ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së.