Tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, u është vazhduar masa paraburgimit edhe për dy muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Lajmin për gazetën online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Majlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve D.M, B.S dhe V.T, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e PSRK-së dhe tre të pandehurve iu ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin. Masa e paraburgimit të pandehurve iu është vazhduar nga data 24.12.2023 deri me datë 24.02.2024”, tha Gashi për Reporteri.net.
Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.
Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.
Pas këtij sulmi NATO-ja ka rritur praninë në Kosovë, duke dërguar trupa shtesë.