Policia e Kosovës gjatë një aksioni të sotëm të zhvilluar në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë lidhur me rastin e grabitjes së armatosur në argjendarinë në Suharekë të mërkurën e 22 nëntorit, ka mbetur i vrarë një i dyshuar, derisa katër të tjerë janë arrestuar, dhe një tjetër ndodhet në arrati.
Mesditen e së enjtes, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar për rastin në Suharekë.
Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar.
“Vlen të potencohet se personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë.
Nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë Dukagjin Gashi, njëri nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë, derisa vëllai i tij, Korab Gashi ndodhet në arrati.
Derisa Bujar Basha, një nga të arrestuarit sot, i njohur edhe për arratisjet e shumta nëpër burgje. Ai vite më parë ishte arratisur dy herë nga burgu i Prizrenit dhe dy herë nga ai i Dubravës.
Madje, në një intervistë vite më parë, ai arratisjen e tij të parë e kishte cilësuar si aftësi të tij, dhe shfrytëzim i dobësisë për rojen e Burgut.
Ndryshe, më 23 nëntor, një ditë pasi ndodhi grabitja e armatosur në Prizren, policia kishte arrestuar tre të dyshuar. Dy prej tyre, Gjykata e Prizrenit u ka vendosur një muaj paraburgim, derisa një tjetër u lirua.
Të dy të paraburgosurit, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, dyshohen për ndihmë në kryerjen e grabitjes së armatosur. Ata, pas arrestimit janë dërguar në paraburgosje në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz./Reporteri.net