Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës më 27 nëntor shënojnë “Ditën e Forcës”. Me këtë rast do të organizohet edhe “Dita e Hapur” duke filluar nga ora 10:00 deri në ora 13:00, transmeton Reporteri.net.
Në njoftimin për media theksohet se manifestimi qendror do të mbahet në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetëror, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në vendin tonë.
FSK-ja thotë se në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin. Po ashtu në këtë ditë do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së. Gjithashtu, në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 19:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë do të mbahet koncert nga bendi frymor i FSK-së dhe Filarmonisë së Kosovës.
“Të arriturat tona janë rezultat edhe i pasqyrimit objektiv dhe profesional nga ana juaj. Ju faleminderit për bashkëpunim dhe ju mirëpresim të festojmë së bashku Ditën e Forcës-Ditën e Ushtrisë!”, thuhet në njoftimin e FSK-së.