Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se shteti e veçanërisht ajo, nuk ka qenë në dijeni se në Institutin për Mjekësi Ligjore po ruheshin mustaqet e Adem Jasharit dhe pjesë të trupit të Isa Boletinit, të cilat u shkrumbuan nga zjarri i para disa ditëve, shkruan Reporteri.net.
“Ato nuk kanë qenë pronë e IML-së sepse nuk ka të drejtë IML-ja të mbajë gjëra të tilla. Neve na është thënë në vitin 2000 se familjet ia kanë dhënë një personi në IML i cili po i mbante në zyrën e tij, po ta dija unë, ato do të duhej t’i mbante shteti. Nuk e kam ditur këtë gjë sepse do t’i mbante shteti”, u shpreh ministrja Haxhiu.
Ngjitur me zyrën e mjeko-ligjorit Valon Hyseni, të ruajtura kanë qenë edhe mustaqet e Adem Jasharit dhe pjesë të trupit të Isa Boletinit, që i shkrumboi zjarri.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore nuk ka dhënë detaje të reja, por vetëm e ka konfirmuar se po vazhdojnë hetimet.
“Ju njoftojmë se aktualisht ndaj këtij rasti po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore në koordinim me institucionet relevante, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Ministrja Albulena Haxhiu, është shprehur se dyshimet e para lidhur me djegien e IML-së janë te sistemi elektrik.
“Sipas informacioneve të para nga ata dhe ato i kemi siguruar dje në orët e vona të mbrëmjes, ka pasur një defekt në sistemin elektrik, mirëpo ka diskutime për brenda vet ekspertëve dhe stafit të mjekësisë ligjore që mund të jetë shkaku prej kohës që është ndërtuar ai objekt”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Haxhiu tha se krimi në Institutin e Mjekësisë Ligjore është shumë i madh. Kërkoi nga Kuvendi ta themelojë një Komision Hetimor.
“Hetimet preliminare thonë që zjarri në Institut ka ndodhur për shkak të një defekti elektrik. Unë pajtohem me ata të cilëve kjo u duket pak e besueshme. Pse? Sepse jo rrallë herë ka pasë situata të ngjashme dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore ndër vite është përballur me skandale të shumta. Është folur se si vrasjet janë bërë vetëvrasjet, vetëvrasjet janë bërë vrasje, janë zhdukur provat, mënyra se si është ndërtuar objekti ka qenë e gabuar, e kështu me radhë. Prandaj, edhe kur nuk po funksionon siç duhet sistemi i Drejtësisë, sepse ju e dini që për rastin e mostrave të Astrit Deharit ende asnjë person nuk është i dyshuar. Edhe përkundër faktit që vetëm 4 persona kanë pasur qasje në vendin ku ruhen mostrat”, tha Haxhiu.
“Në këto rrethana kërkoj nga ju që me shpejtësi dhe pa asnjë vonesë ta themeloni komisionin hetimor sepse kështu mund t’i ndihmoni Kosovës, mund t’i ndihmoni Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mënyrë që veprimet që kanë ndodhur deri tani të adresohen dhe nuk po shoh institucion tjetër që mund ta bëjë këtë tani dhe më mirë”, tha tutje ajo