Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar të enjten që të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet.
Sipas ZPS-së, ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.
Hetimet e Prokurorisë së Specializuar, sipas njoftimit, kanë zbuluar përpjekje të mëtejshme për të penguar procedurat nga të akuzuarit, pasi pretendohet se kanë biseduar me vizitorë duke i udhëzuar ata të bisedojnë me dëshmitarët potencialë, dhe t’iu tregojnë atyre çka të flasin.
Për këto arsye, Prokuroria ka kërkuar që Thaçit, Veselit dhe Selimit t’i pezullohen të gjitha komunikimet, përfshirë vizitat familjare fizikisht apo përmes Zoom, telefonatat dhe komunikimet me shkrim. Kjo do të jetë në fuqi, sipas Prokurorisë, deri në vendimin e trupit gjykues.
ZPS-ja ka urdhëruar që të ketë monitorim aktiv (nga një folës në gjuhën shqipe) të të gjitha komunikimeve jo të privilegjuara të tre të akuzuarve dhe ruajtjen e atyre të dhënave deri në përfundimin e gjykimit.
Prokuroria ka kërkuar që vizitat e privilegjuara të kufizohen vetëm për ekipin e avokatëve.
Madje, Prokuroria e Specializuar ka kërkuar që tre të akuzuarit të ndahen nga të paraburgosurit e tjerë që janë në Qendrën e Paraburgimit aktualisht.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 22 korrik se institucionet e Kosovës duhet të punojnë për të parë nëse po respektohen të drejtat e njeriut në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, të dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në Kosovë ka kritika të shumta ndaj Dhomave të Specializuara për zvarritjen e procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët për pothuajse dy vjet gjenden në paraburgim në Hagë, dhe ende nuk ka një datë për nisjen e gjyqit ndaj tyre.
Në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020 gjenden ish-krerët e UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi.
Ata akuzohen si të dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.