970×90
970×90
970×90
970×90

Arifi: As këtë muaj s’ka dialog teknik Kosovë – Serbi

Arifi: As këtë muaj s’ka dialog teknik Kosovë – Serbi

Të hënën, më 18 qershor, delegacioni i Kosovës për dialogun me Serbinë do të dalë para vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të prezantuar të arriturat dhe punën e institucioneve të Kosovës në implementimin e marrëveshjeve të deritanishme.

Por, nuk ka ende një datë të takimit të ardhshëm për dialogun, prej kur përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi ka refuzuar të jetë pjesë e një takimi, pasi ka kërkuar fillimisht zbatimin e marrëveshjeve të deritashme.

Në një intervistë për KosovaPress, Arifi ka sqaruar se nuk e kanë kushtëzuar BE-në dhe askënd tjetër, por thotë se nuk do lejojnë diçka që nuk e parasheh Kushtetuta e Kosovës.

“Ne kemi marrë një kërkesë që të shkojmë dhe të bisedojmë për procesin e gjeri tanishëm të draftimit të Asociacionit, mirëpo ne kemi refuzuar sepse fillimisht duhet të përgjigjen në pyetjet apo në kërkesat që i kemi bërë në dy festat e mëparshme”, thotë ai.

Shpjegon se për çfarë i kanë ftuar që të jenë të hënën në Bruksel.

“Ne kemi ftesë tjetër në fakt ne, më 18, delegacioni i Kosovës, ekspertët e saj para vendeve anëtare në Bruksel do të shkojnë dhe do të prezantojnë të arriturat dhe punën e institucioneve të Kosovës në implementimin e marrëveshjeve të ndryshme ku të gjithë ne do të prezantojmë para tyre se çfarë procesi i marrëveshjes, se cilat kanë qenë veprimet tona. Besoj që me këtë prezantim Kosova do të konfirmojë edhe njëherë seriozitetin e saj që ka pasur dhe vazhdon ta ketë në procesin e dialogut dhe njëkohësisht konfirmon përkushtimin e saj në implementimin e obligimeve të marra, por njëkohësisht do ta përdorim edhe si një shans përpara vendeve anëtare të kërkojmë implementimin e marrëveshjeve të cilat pa ndonjë vështirësi të caktuar teknike nuk po implementohet, por thjesht nuk po implementohen për shkak të vullnetit politik”, deklaroi Arifi.

Arifi thotë se Kosova ka zbatuar të gjitha marrëveshjet ose është në fazën përfundimtare të implementimit të tyre.

Ai shpjegoi se pala serbe e konsideron se Kosova është vonuar shumë me Asociacionit e Komunave Serbe, e sipas Arifit, në një mënyrë ka të vërtetë sepse është një marrëveshje e vjetër por, siç thotë ai, është një marrëveshje e cila ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Arifi ka shpjeguar  se çfarë ka kërkuar Kosova nga BE-ja.

Sipas tij Kosova nuk e ka kushtëzuar askënd.

“Ne kemi kërkuar pak më ndryshe. Ne kemi kërkuar që të bisedohet për energji, sepse është çështje pak më akute dhe do të insistojmë prapë edhe në takimet e ardhshme. Ne do të insistojmë që çdo debat në Bruksel që do të bëjmë me palën të fillojmë me energji. Insistojmë në implementimin e marrëveshjes për energji. Është marrëveshje e nënshkruar, nuk kemi se çfarë të bisedojmë ajo duhet të implementohet… Unë nuk jam në garë me askënd. Ne nuk duam të krahasohemi me askënd, por çka dua të them është se ne dëshirojmë të jemi transparent që në çdo veprim tonin, të gjithë të jemi pjesë e atij veprimi… Ne nuk kemi shkuar në atë drejtim që të kushtëzojmë proceset, ne po i mbrojmë interesat tona. Ne po i mbrojmë interesat e Republikës dhe ne po konsiderojmë se do të mbrojmë dhe avancojmë interesat tona në formën dhe mënyrën që ne konsiderojmë që është më e mira. Ne nuk e kushtëzojmë bashkësinë ndërkombëtare se do të bllokojmë këtë proces apo atë proces. Ne kemi kërkuar me ngulm implementimin e marrëveshjes për energji dhe marrëveshjeve tjera dhe prapë insistojmë në këtë, dhe njëkohësisht ne e kemi vënë pah dhe do të insistojmë prapë dhe kështu do të mbetet se të gjitha marrëveshjet duhet të implementohen. Nuk do të lejojmë që vetëm për një marrëveshje specifike të marrim qasje selektive”, deklaroi Arifi.

Përfaqësuesi i Kosovës për dialog me Serbinë, Avni Arifi, që është edhe shef i stafit të kryeministrit, Ramush Haradinaj, është këmbëngulës se nuk do të lejojnë që Asociacioni të jetë vendimmarrës.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk lejon që asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, unë nuk kam asnjë kompetencë dhe nuk do kem as tash dhe as në të ardhmen që të pranoj një dokument i cili është në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thotë ai.

I pyetur nëse presidentët e të dyja vendeve do të takohen brenda këtij muaji, Arifi ka thënë se nuk flet për këtë çështje. Ndërsa, ka rikonfirmuar se në nivelin teknik nuk është paraparë ndonjë takim./Telegrafi/

Related posts