Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të vijë të hënën pasdite në Kosovë, për një vizitë dyditore. Sot gjatë ditës pritet të takojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ndërsa nesër krerët e opozitës, shkruan Reporteri.net.
Gazeta Online Reporteri.net ka mësuar nga burimet se takimi me Lumir Abdixhikun (LDK), Memli Krasniqin (PDK), dhe Ramush Haradinajn (AAK), do të mbahet nesër në orën 10:15 në zyrat e Bashkimit Evropian.
Burimet e Gazetës Online Reporteri.net kanë bërë të ditur po ashtu se Lajçaku, pritet t’ia prezantojë opozitës draftin e ri për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Sot, Ioanna Lachana nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, konfirmoi për Gazetën Online Reporteri.net se vizita e Lajçakut zgjat dy ditë, sot dhe nesër.
“Po, vizita e tij në Kosovë është sot dhe nesër”, tha Lachana.
Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së. Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot.
Kurti ka thënë se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 3 nëntor tha para deputetëve të Kuvendit se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë, ka qartësi sa i përket njohjes së Kosovës.