Protesta e njësive elitare të PK-së, Abdixhiku: Trishtim, dështim – heronjtë e vendit po poshtërohen nga Qeveria Kurti
Pak minuta më parë, pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, dhe ata të Njësitit për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, duke rritjen e shtesave për rrezikshmëri.
Pas kësaj proteste ka reaguar edhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili e ka quajtur “trishtim” këtë protestë.
Në postimin e tij të bërë në Facebook, kreu i LDK-së ka thënë se njësia më elitare është detyruar të protestojë, e që sipas tij Qeveria nuk po i dëgjon kur ata kanë nevojë.
“Trishtim. Dëshpërim. Njësia më elitare e shtetit detyrohen në protestë. Heronjtë e veriut, djemtë më të zot, të poshtëruar nga një Qeveri që nuk dëgjon për ta kur ata kanë nevojë. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Këto dy njësite elitare të Policisë thanë se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave, teksa kërkuan që të mos luhet me dinjitetin e tyre.
“Nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të ndërmarrin hapa konkretë në realizimin e tyre. Ju i nderuar kryeministër i dini shumë mirë rreziqet dhe kërcënimet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private. Prandaj mos luani me dinjitetin tonë, me jetën e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste të kaluar dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më 24 shtator. Kërkojmë që propozimin e dhënë për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikoni dhe të pranoni kërkesat tona dhe presim që së shpejti të takohemi dhe t’i zgjidhim së bashku.
Kërkesat tona janë: Kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve dhe Rrezikshmëria të caktohet në 50 përqind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës”, u shpreh përfaqësuesi i tyre.