![Kampionati mbarëkombëtar i shahut Rapid dhe Blic, nderohet Mehmet (Ramë) Alaj Vokshi](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/10/IMG_9796.jpeg)
Në datat 28 dhe 29 tetor, qyteti i Prizrenit u përfshi nga një atmosferë gare, përpikmërie dhe mjeshtërie. Lojtarë të shahut u bënë pjesë e Kampionatin Mbarëkombëtar në shahun rapid “Mehmet Vokshi’’ në Prizren.
Në këtë ngjarje, Endrit Uruçi u zgjodh më i miri i shqiptarisë 2023, në të dyja kategoritë: RAPID dhe BLIC.
Derisa, Llambi Pasko u zgjodh fitues për Shqipërinë – Kampion Kombëtar në të dyja kategoritë.
![](https://shqip.com/app/uploads/2023/10/398021320_339222558753684_2499761266532946349_n-1024x768.jpg)
Ky aktivitet është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe iu kushtua intelektualit, patriotit rilindës, mësimdhënës e autor veprash, Mehmet (Ramë) Alaj Vokshi.
Ai ishte themelues i Federatës Shqiptare të Shahut dhe njëherazi u shpall kampion në vitin 1933.
![](https://shqip.com/app/uploads/2023/10/397344432_845204917609219_8919596507490792186_n-1024x981.jpg)
Mehmet (Ramë) Alaj Vokshi, lindi në Drenoc të Vokshit në vitin 1894 në familjen “Alaj” siç njihet “Shtëpija e Demë Isufit”, e njohur për vlera të mëdha kombëtare, intelektuale dhe arsimore.
Shkollën fillore e kreu në Voksh e në Pejë, shkollimin e mesmen e filloi në Elbasan dhe e vazhdoi në San Demetri di Corona – Dega e Normales në Itali, duke e përfunduar me rezultatet e larta në vitin 1914/15.
Pas Luftës së Parë Botërore, filloi studimet në Romë të Italisë në fakultetin e Pedagogjisë, të cilin e kreu në vitin 1922.
Ai është edhe autor i veprave ”Shqipnija e Shqiptarëve” (1930), “Fiset shqiptare”, “Kosova asht zemra e Shqipnisë”, të botuara në Tiranë (1930).
Ishte edhe autor i revistës ”Afrimi” të botuar në Shkodër dhe Vlorë (1922-1930).
Profesionin e shenjtë të mësuesit, e filloi në jug të Shqipërisë (Gjirokastër) në vitin 1918 dhe pas një viti, profesor i Gjimnazit në Tiranë.
Pastaj edhe në disa funksione tjera në kuadër te Ministrisë së Arsimit si Sekretar i Entit Kombëtar të Edukatës Fizike, drejtor internati “Kosova”, inspektor i arsimit Shkodër, Përmet, Vlorë etj.
Gjithashtu ishte bashkëthemelues i Federatës së Shahut, si këshilltar i Federatës së Shahut të Shqipërisë në vitin 1933.
Pas Luftës së Dytë Botërore ishte drejtor i Bibliotekës dhe Shtëpisë së Kulturës në Tiranë.
Profesor Mehmet Vokshi ishte njohës i mirë pos shqipes edhe italishten e frëngjishten.
Në vitin 1939 ishte në ballë të protestave kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, ku edhe burgoset për një kohë nga ana e tyre.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk u pajtua as me komunistët, andaj në vitin 1947 kthehet në vendlindje dhe filloi të punojë si profesor i Gjimnazit në Prizren, pastaj profesor i Gjimnazit në Mitrovicë, prej nga u largua nga puna si i pa dëshiruar “i huaj” dhe u internua me familje në Gjilan.
Një pjesë të jetës në moshën e pleqërisë e kaloi në qytetet shqiptare të Maqedonisë si; në Shkup, Tetovë dhe Gostivar, ndërsa në vitin 1974, u vendos në Prishtinë së bashku me familje, ku edhe ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare në vitin 1976.
Mehmet (Ramë) Alaj Vokshi është varrosur me amanetin e tij në vendlindje, në Drenoc të Vokshit.
![](https://shqip.com/app/uploads/2023/10/397248427_845204937609217_722191710254264140_n-1024x767.jpg)
![](https://shqip.com/app/uploads/2023/10/397347751_845204910942553_3340030742474946304_n-1-1024x768.jpg)
![](https://shqip.com/app/uploads/2023/10/397359649_845204944275883_6613525060548445637_n-1-1024x767.jpg)
![](https://shqip.com/app/uploads/2023/10/397245149_845204950942549_685045556689897913_n-1-1024x767.jpg)