![Nisin luftimet tokësore mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/10/IMG_9649.jpeg)
Një fraksion i grupimit militant Hamas, ka bërë me dije se tashmë kanë nisur luftimet tokësore me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, brenda territorit të Gazës.
Luftimet, sipas fraksionit të Hamasit, po zhvillohen në pjesën veriore të Rripit, pikërisht aty ku shteti hebre ka zgjeruar operacionin tokësor dhe ka bërë edhe inkursion me tanke.
Sipas raportimeve të fundit nga Lindja e Mesme, tashmë tanket e para izraelite kanë filluar të mësyjnë një Gaza tërësisht të shkëputur nga bota, pa rrymë elektrike, pa komunikim dhe pa internet.
Nuk është bërë ende e ditur se në çfarë shkalle ky inkursion fillestar është, por dihet me siguri se Izraeli i ka bërë thirrje gjithë palestinezëve që jetojnë në veri, që të largohen urgjentisht drejt jugut.
Por, sipas zëdhënësve ushtarakë izraelitë, nuk kemi të bëjmë ende me atë operacion me shkallë të plotë, i cili është deklaruar më parë.
Zgjerimin e operacioneve gjatë natës ndërkaq, e raportoi Daniel Hagari, zëdhënsi i Ushtrisë izraelite, i cili përmendi planin e Forcave të Mbrojtjes për të pasur fillimin zyrtar të inkursionit në Gaza.
Me thirrje të qartë për palestinezët, ai ka thënë se ata që gjenden në veri, duhet të larohen menjëherë për në zonat më jugore.
Por Rripi aktualisht i ngjan një ferri real, me bombardime masive mbi kokat e palestinezëve dhe një blackout tërësor në gjithë Gazën.
Nuk kanë pushim bombardimet izraelite në Gaza. Madje, ato po kthehen në më të ashprat të dekadave të fundit.
Këto janë raportimet e fundit që vijnë nga Lindja e Mesme, ku prej korrespondentëve të mediave ndërkombëtare, mësohet se Gaza është jo vetëm nën breshëri bombardimesh, por edhe në një “blackout” tërësor.
Njerëzit në Gaza, sipas Safwat Kahlout, korrespondent i medias së Katarit, Al Jazeera, thotë se njerëzit kanë humbur krejtësisht papritur kontaktin me njëri-tjetrin.
Nuk ka as shërbim telefonik, as internet. Gjithçka është në kolaps sipas tide.
Hamasi ndërkohë ka filluar një kundërpërgjigje me raketa. Por, njëkohësisht i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë gjithçka munden për të ndaluar luftën!
Nga ana tjetër, thirrje të vazhdueshme kanë ardhur nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili ka thënë se ndihmat duhet të shkojnë sa më parë në Gaza dhe të jenë të monitoruara.
Katari bën thirrje për armëpushim të plotë dhe lirim të të burgosurve në luftën e Gazës
Katari ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e të gjithë të burgosurve në luftën e Gazës.
“Sulmet izraelite kundër civilëve të pafajshëm janë bërë katastrofike dhe mund të ketë spirale në një mënyrë që kërcënon rajonin dhe botën. Ne shprehim keqardhje të thellë për dështimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të marrë përgjegjësinë sipas statutit të tij”, tha Sheikha Alya Ahmed Saif Al Thani, ambasadori i Katarit në OKB.
Po ashtu, ai ripërtëriti thirrjet për de-përshkallëzimin, një armëpushim të plotë dhe lirimin e të gjithë të burgosurve – veçanërisht civilëve.
“Ne ripohojmë se dënojmë të gjitha format e shënjestrimin e civilëve, veçanërisht grave dhe fëmijëve”, përforcoi Al Thani.
Mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza nuk ka pasur pushim zjarri në asnjë çast, prej 7 tetorit 2023, ditë kur Hamasi kreu sulmin e përgjakshëm me 1 mijë e 400 viktima në territorin izraelit.
Mirëpo, prej disa ditësh, me Katarin ndërmjetës, po vijojnë negociatat, të cilat synojnë të arrijnë një armëpushim zonal në territore ku do të jepen ndihma humanitare, si edhe akorde të reja mes izraelitëve dhe palestinezëve, për të shkëmbyer të burgosurit.
Madje, sipas raportimeve të fundit nga media e Katarit, Al Jazeera, këto negociata po përparojnë me shumë shpejtësi dhe mund të ketë edhe rezultat konkret së shpejti.
Ibrahim Fraihat nga Instituti i Dohas thotë se lajmi është një “përparim i madh” në varësi të kushteve të marrëveshjes.
“A do të jetë një armëpushim humanitar, a do të jetë një armëpushim i përkohshëm, apo do të jetë fundi i kësaj lufte?”, i tha Fraihat Al Jazeera-s.
“Ne e dimë se ka pasur një refuzim shumë të fortë izraelit për çdo lloj armëpushimi, madje edhe një armëpushim humanitar. Bashkimi Evropian dje, në takimin e tij, po bënte thirrje për një armëpushim humanitar, dhe ata madje ishin pak të turpshëm ta thonë këtë. Pra, nuk ka ndonjë presion serioz ndaj Izraelit nga Bashkimi Evropian”.
Megjithatë, Izraeli kurrë nuk është tërhequr nga ideja e një ofensive tokësore në gjithë Gazën, me qëllim shprehimisht “zhdukjen e Hamasit nga faqja e dheut”.
Nuk është bërë ende e qartë se kur do të jetë ky avancim tokësor, pavarësisht se nga Ushtria e Izraelit është thënë gjithnjë shprehja “nga dita në ditë”.
Sa është mësuar nga fronti në kufirin me Gazan, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po pastrojnë fushat e minuara, për të mos pasur më tej probleme me inkursionin e plotë.
Teksa, në kufi janë mbledhur edhe tanke të shumtë dhe raketëhedhës me rreze të shkurtër e të mesme, të cilët mund të synojnë gjithë territorin e Gazës.
Inkursioni izraelit pritet të kryhet nga toka, deti dhe ajri.