Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar mbrëmë se në liqenin e Badocit kanë bërë analizat fiziko-kimike të mostrave të ujit dhe kanë rezultuar se ka vlera të rritura të manganit.
IKSHPK-ja u ka apeluar qytetarëve që të mos përdorin uji për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, në një intervistë për “IndeksOnline”-n ka njoftua se kanë zvogëluar trajtimin e ujit nga ky impiant, prej 100% në 35%.
“Kompania rajonale e ujësjellësit Prishtina respektivisht departamenti i cilësisë së ujit së bashku më IKSHPK-në janë duke e monitoruar cilësinë e ujit të pijshëm me theks të veçantë liqenin e Badocit, pikërisht për këtë arsyeje ne e kemi zvogëluar edhe trajtimin e ujit nga ky impiant nga 100% në 35% dhe më këtë rast ne e kemi njoftuar qytetarët se e kemi zvogëluar prodhimin e ujit”, ka thënë Mjeku.
Më tej, Mjeku theksojë se situata nuk është shqetësuese pasi nëse gjendja të ishte alarmante do të ndërpritej në tërësi impianti i trajtimit të ujit në Badoc.
Ajo tha se kjo krijohet prej temperaturave që ndryshojnë nga dita në natë.
“Situata nuk është alarmante as shqetësuese, kemi rritje të sasisë së manganit në Liqenin e Badocit, kjo është një dukuri natyrore që ndodh në stinën e vjeshtës, kur temperaturat ndryshojnë nga nata në ditë, nata është mjaft e ftoftë, ndërsa dita është me e nxehtë. Pra rritet edhe niveli i sasisë së manganit, theksoi ajo.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina” tha se vazhdimisht janë duke e monitoruar gjendjen e ujit në Liqenin e Badocit.
“Është mirë që qytetarët të mos konsumojnë atë ujë, jo që është rrezik, mirëpo është më mirë që të jemi të kujdesshëm deri në stabilizimin e situatës, derisa të dalë IKSHPK-ja me njoftimin e radhës. Ne kemi dërguar autobot. Nga ora 09:00 kemi autobot në Graçanicë, Hajvali por po mundohemi që të dërgojmë edhe në zonat e tjera”, tha ndër tjera zëdhënësja.
Ndërkaq, ajo tha se kjo është dukuri natyrore dhe nuk mund të dihet deri kur do zgjasë kjo situatë, por shpreson se brenda 2-3 ditë të kthjellohet.
“Derisa të këtë ulje të nivelit të manganit në Liqenin e Badocit atëherë do të mbetet kjo gjendje, por shpresojmë që shumë shpejtë të stabilizohet”, përfundoi Mjeku.