970×90
970×90
970×90
970×90
970×90

Kosova ende nën masa nga BE-ja

Kosova ende nën masa nga BE-ja

Përkundër paralajmërimeve për mundësinë e tërheqjes së sanksioneve nga Bashkimi Evropian, Kosova vazhdon të jetë ende nën masat e BE-së. Njohës të rrethanave politike thonë se sanksionet janë të padrejta dhe ato po përdorën nga BE-ja si mjet presioni ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit dhe dialogun me Serbinë.

Kosova vazhdon të jetë e sanksionuar nga Bashkimi Evropian, përkundër ndryshimit të situatës në veri dhe kërkesave të vazhdueshme të krerëve të shtetit që BE-ja t’i largojë sanksionet e vendosura në qershor, pas tensionimit të situatës në veri. Ndërkohë, Serbia vazhdon të jetë e pa sanksionuar për sulmin terroristë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Duke komentuar faktin e Kosovës së sanksionuar por jo edhe Serbisë, profesori universitar, Dorajet Imeri, thotë për Radio Kosovën se kjo tregon qasjen asimetrike të BE-së kundrejt Kosovës dhe Serbisë.

 “Mos largimi i sanksioneve ndaj Kosovës, të vendosura për bindjen time padrejtësisht dhe mos vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë, pas asaj që ndodhi më 24 shtator, e dihet botërisht se Serbia ishte prapa grupeve terroriste, synimi i të cilave ishte krijimi i një rrethane të re në Kosovë, tregon shkurt dhe qartë për një qasje asimetrike që Bashkimi Evropian ka ndaj palëve në negociata”, tha Imeri.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, thotë se BE-ja po përdor sanksionet ndaj Kosovës për qëllimet e saj.

“Masat kundrejt Kosovës janë duke u mbajtur akoma si një model ndëshkimi që të vazhdohet me hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe dialogut me Serbinë, sipas interesave që kanë Bashkimi Evropian dhe bota perëndimore, për futjen e Serbisë në ombrellën perëndimore”, tha ai.

Edhe analisti politik, Visar Xani, thekson se BE-ja po i përdorë sanksionet si mjet presioni ndaj Kosovës.

 “Është e padrejtë që Kosova ka masa, ndërkaq Serbia nuk ka sanksione, edhe pse ka veprime terroriste. Nuk e besoj se BE-ja në një të ardhme të afërt do t’i largojë këto masa, për arsye se do t’i përdorë si mjet presioni ndaj Kosovës, me qëllim që të kemi zbatim të marrëveshjeve të Brukselit ose të propozimeve evropiane’,  tha Xani.

Prej javësh, zyrtarë nga BE-ja kanë paralajmëruar mundësinë e largimit të masave ndaj Kosovës, për çka kanë thënë se po monitorojnë situatën.

Related posts